Botë

Udhëkryqi i Brexit, deputetët kërkojnë nisjen e një debati urgjent

03.09.2019 14:16

Kundërshtarët e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje...

Kundërshtarët e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, kanë kërkuar nisjen e një debati urgjent, për të shtyrë datën 31 tetor të vendosur nga Boris Jonhson si afat për realizimin e Brexit. Për këtë deputetët kanë shfrytëzuar të ashtuquajturin urdhër të posaçëm.
 
Në Britaninë e Madhe përplasjet për daljen nga Bashkimi Evropian vazhdojnë të prodhojnë debate politike. Kundërshtarët e kryeministrit Boris Jonhson kanë nisur lëvizjet për të ndaluar, daljen nga unioni pa një marrëveshje duke propozuar shtyrjen e datës. Për këtë qëllim pritet të paraqitet një ligj i posaçëm mbështetur në atë që në Britani njihet si urdhër i posaçëm, duke krijuar kushtet për nisjen e një debati urgjent. Në këtë mënyrë afati i parashikuar për shkëputjen në 31 tetor pa arritur në dakordësi do të jetë i pamundur ndërsa data më e afërt do të jetë 31 janari.
 
Përplasjet për procesin Brexit kanë sjellë edhe dorëheqjen e Theresa May e cila nuk arriti të bindte parlamentarët, edhe pse paraqiti paketën e marrëveshjes për dalje. Projekti i saj u refuzua tre here. Pas largimit të May, Boris Johnson u tregua me dorë të hekurt duke vendosur dhe afate por edhe hapa konkretë për shkëputjen.
 
Javën e kaluar, Mbretëresha Elizabeta II e miratoi zyrtarisht kërkesën e Johnsonit për të pezulluar punën e Parlamentit para Brexit-it. Kjo nënkupton zvogëlim të kohës së ligjvënësve për të diskutuar largimin nga blloku, duke frenuar mendimet që janë kundër daljes pa një marrëveshje.
 
Tashmë situata e krijuar ka sjellë dhe propozime për zgjedhje të parakohshme. Ish-kancelari Hammond, i cili vjen nga Partia Konservatore e Johnsonit, tha se nuk do të mbështesë asnjë mocion për shpërndarjen e Parlamentit për zgjedhje, nëse nuk kalon ligji për ndalimin e Brexit-it pa marrëveshje.
 
Deputetja tjetër konservatore, Justine Greening, tha se Johnson po ofron zgjedhje të përgjithshme, që do t’iu ofrojnë votuesve të zgjedhin midis “Brexit-it pa marrëveshje dhe Jeremy Corbynit”./Ora News