Maqedoni

Ademi: Në dialog me SAShK-un do të vendosim për rritjen e pagave

03.09.2019 16:31

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ka përcjellë sërish mesazhe për një fillim të mbarë shkollor....

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ka përcjellë sërish mesazhe për një fillim të mbarë shkollor, ndërsa ka shprehur gatishmëri që në negociatat mes MASh dhe SAShK-ut të arrihet një marrëveshje për rritjen e pagave, e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë.
                                                                      
“Duke e pasur parasysh përvojën time dhe relacionet si ministër i Arsimit dhe Shkencës me partnerët, siç është SAShK-u, mendoj se në mënyrë konstruktive do të vazhdojmë periudhën e ardhshme që na pret. Do t’i shqyrtojmë të gjitha parametrat në mënyrë konstruktive dhe racionale, do t’i shqyrtojmë të gjitha të dhënat dhe bashkërisht do të vendosim për rritjen e ardhshme të pagave në veprimtarinë e arsimit. Por, gjithsesi kjo duhet të shqyrtohet edhe nga ana e Qeverisë” ,- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
 
Këto komente ministri Ademi së bashku me zëvendësministrin e Ekologjisë, Jani Makraduli, dhe kryetarin e komunës Karposh, vizituan një nga shkollat fillore të kësaj komune, e cila realizon një nga programet ekologjike të Qeverisë, prej ku edhe u dërgua porosia për ruajtjen dhe ngritjen e vetëdijes për ambient të pastër dhe të shëndoshë për të gjithë.
 
Pendarovski mesazh për nxënësit: Dituria do t’ju ndihmojë në jetë
 
Për t’u uruar nxënësve një vit të mbarë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, vizitoi filloristët e Shkollës “Panajot Ginovski”, në komunën e Butelit, ku edhe e ka kryer shkollën fillore. Me këtë rast ai dërgoi mesazhe për fillim të mbarë për mësimdhënësit, prindërit dhe fëmijët, duke vënë theks të veçantë në krijimin e raporteve ndërnjerëzore dhe ruajtjen e tyre.
                                                                                                   
“Mësoni që të jeni më të mirët! Lexoni sa më shumë libra! Dituria sigurisht do t’ju ndihmojë në jetë. Por, diçka që ka shumë rëndësi është edhe ajo që të krijoni rreth sa më të gjerë të shoqërisë, sepse njeriu në jetë çdoherë është më i suksesshëm dhe më i lumtur kur ka miq përreth”,- theksoi presidenti, Stevo Pendarovski. 
 
Presidenti Pendarovski ka vizituar edhe mësuesen e tij të parë, Bokja Palifrovska. Ai i uroi asaj edhe shumë vite jetë në mënyrë që pas disa vitesh ata të takohen përsëri.
 
LEUNORA KALIQI