Rasti "Zhvatja", biznesmeni Amzoski dëshmoi në prokurori
Vazhdon hetimi për rastin "Zhvatja"....

Vazhdon hetimi për rastin "Zhvatja". Sot në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion është ftuar në pyetje biznesmeni nga Struga, Ardijan Amzoski, pronar i firmës "Drim Billding".
Ai në xhirollogarinë e Aleancës Ndërkombëtare të Bojan Jovanovskit, të njohur si Boki 13, ka paguar rreth 260 mijë euro për partneritet strategjik dhe bashkëpunim në punë. Por, pasi Boki 13 dhe koordinatorja e Aleancës Ndërkombëtare, Jasna Mandiç, nuk i plotësuan kërkesat e “Drim Building”, nga kjo kompani ngritën padi në Gjykatën Themelore Civile në Shkup.
Deputetja Remenski, nesër në prokurori
Ndërkohë, mësohet se nesër në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion është ftuar nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski. Ajo pas ca kohe në rrjetin social FB publikoi se nuk ka asgjë kundër Prokurorisë Themelore Publike që të hetojë se cili është funksioni i saj i nderit në Organizatën joqeveritare të Bojan Jovanovskit dhe se e njëjta është në dispozicion të shpjegojë gjithçka që i intereson dhe për gjithçka që kanë dilemë.
Dje në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion u morën në pyetje edhe biznesmeni, Silljan Micevski, dhe prezantuesja, Lila Filipovska.
Edhe biznesmeni, Siljan Micevski, dëshmoi për mospërmbushjen e detyrimeve nga Aleanca Ndërkombëtare. Në rastin "Zhvatja" të akuzuar janë Bojan Jovanovski, Zoran Milevski dhe prokurorja speciale, Katica Janeva. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
