Ngecin bisedimet për pr/Ligjin për Prokurorinë Publike, VMRO: Zaev s’lejon miratimin e një ligji cilësor
Procesi për miratimin e Ligjit për Prokurori Publike ka ngecur sërish....

Procesi për miratimin e Ligjit për Prokurori Publike ka ngecur sërish. Pas tejkalimit të dallimeve dhe miratimin e 10 amendamenteve për çështje më pak të rëndësishme, çështje teknike, apo çështje të rregulluara edhe me ligje të tjera, palët nuk lëshojnë për çështjet thelbësore për të cilat edhe u themelua Prokuroria Speciale.
Përderisa pushteti kërkon procedimin e të gjitha lëndëve që ka hapur Specialja brenda afatit 18 mujor dhe pas tij opozita është kundër. Atmosferë e nxehtë ka dominuar edhe në takimin e një dite më parë të grupeve punuese ku nuk është shënuar rezultat.
“Sa i përket klimës, sipas të gjitha gjasave, ka qenë nxehtë. Zoran Zaev nuk lejon as që të miratohet ligj cilësor për PP-në as që të luftohet korrupsioni i lartë ku janë gërshetuar edhe administrata edhe gjykata. Maqedoninë po e tundin skandale korrupsioni të nivelit më të lartë ku janë përfshirë edhe emra të pushtetit, a nuk ka zgjidhje, nuk ka proces, nuk ka asgjë për asgjë rast”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
LSDM: VMRO përpiqet të bllokojë miratimin e ligjit
Mirëpo LSDM pretendon të kundërtën. Sipas tyre, është VMRO-DPMNE ajo që po frenon miratimin e këtij ligji.
“Sot, me kërkesat e imagjinuara për çdo ditë, VMRO-DPMNE përpiqet të bllokojë miratimin e Ligjit për Prokurori Publike. Institucionet kompetente duhet të zbardhin të gjitha hetimet e hapura dhe të veprojnë për institucionet kompetente, duhet të zbardhin të gjitha hetimet e hapura dhe të veprojnë për çdo indicie për krim të mundshëm. Do të përgjigjet çdokush për të cilin do të konstatohet se ka vepruar jashtë ligjit”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Ngecja në negociata ka bllokuar shqyrtimin e projekt Ligjit për Prokurori Publike në Komisionin për Çështje Evropiane dhe në Komisionin Juridik - Ligjvënës, ku sipas Rregullores së Kuvendit duhej të përmbyllet brenda dy ditë pune.
Afatet po tkurren edhe në kontekst të procesit integrues. Për të pasur efekt në vendimin për caktimin e datës për fillimin e negociatave me BE-në, ligji duhet të miratohet deri në mes të shtatorit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
