Zaev: Rebalanci në shërbim të rritjes ekonomike, rriten për 5% pagat e sektorit publik
Për 5 për qind më shumë do të marrin pagë të gjithë të punësuarit në sektorin publik...

Për 5 për qind më shumë do të marrin pagë të gjithë të punësuarit në sektorin publik, përfshirë shëndetësinë, arsimin, policinë dhe sektoret tjera.
Duke folur për rebalancin e ri, Zaev theksoi se ky buxhet do të jetë në shërbim të rritjes së shpejtë ekonomike, kthim të parave te qytetarët dhe tek kompanitë për rritje të pagave.
“Kur investoni në projekte të cilat janë të rëndësishme për qytetarët, kur njerëzit janë të motivuar për punë, kur çdo segment i shoqërisë është i angazhuar, ajo sjell rritje dhe zhvillim ekonomik. Rritje dhe zhvillim sjell edhe motivimi në sektorin publik, në serviset publike të cilat i shërbejnë qytetarëve, për këtë shkak nga 1 shtatori hyn në fuqi rritja e re prej 5 për qind e pagave në sektorin publik, në shëndetësi, arsim, kopshte, polici, kulturë, mbrojtje dhe në sektore tjera në administratën publike. Kjo nënkupton se në gjitha rritjet e deritanishme nga 1 shtatori vijon rritja e radhës e pagave në sektorin publik për 5 për qind, e cila gjithsesi se do të paguhet në fillim të tetorit”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërsa ministrja e Financave, Nina Angellovska, prezantoi masat për rritjen e pagave në sektorin privat. Ajo tha se do të subvencionohen kompanitë private të cilat do të mundësojnë që ato ta mbajnë në vend kuadrin cilësor.
“Konsideroj se kjo masë do t’iu mundësojë kompanive që japin paga më të larta, t’i motivojnë të punësuarit dhe të njohin mundin dhe potencialin e tyre, gjë që do t’i ndihmojë shtetit. Kjo masë parashihet të zgjasë gjithsej 3 vite. Në mënyrë shtesë janë ndarë 200 milionë denarë për masat aktive që do të mbështesin punësimin, pasi ka një interes të shtuar për masat për vetëpunësim, ndërsa këtu gjithashtu janë përfshirë edhe masa për punësim të të rinjve, me qëllim që të stimulohet prodhimtaria”,- theksoi ministrja e Financave, Nina Angelovska.
Me rebalancin e buxhetit janë shkurtuar 50 milion euro, që ishin të parapara si investime kapitale. Para janë shkurtuar për arsim, për shkolla të mesme dhe universitete, për spitalin në Kërçovë dhe Shtipit, si dhe për disa projekte tjera.
Zaev e Angelovska njoftuan edhe rritjen e subvencioneve për prodhimet bujqësore, subvencionim të masës “Tatimi im”, ndërsa nuk dhanë shifër konkrete se sa do të jetë paga minimale me rritjen pagave. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
