Palmer: Të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, ShBA-të do të donin njohjen e ndërsjellë

03.09.2019 19:57

Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer....

Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, ka theksuar se qëllimi i tij është t’i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje”.

Në një intervistë për mediet serbe ai citohet të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin “njohjen e ndërsjellë si pikën qendrore të marrëveshjes”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Palmer thotë se angazhimi i Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nxiti vendosjen e tarifave dhe ato u shndërruan në pengesë për përparimin e bisedimeve, meqë Beogradi i sheh si arsye që të mos kthehet në tryezën e bisedimeve.

“Kjo nuk ndihmon. Lobimi tek vendet e vogla që të tërheqin njohjet, mbase është një sukses taktik i Serbisë, por i kushton Beogradit në ruajtjen e interesit të tij për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim. Shpresoj që të dyja palët do të kuptojnë interesin e tyre dhe do të arrijnë një marrëveshje”, citohet të ketë thënë Palmer.

Në Forumin e Bledit në Slloveni po merr pjesë edhe Ministri i Jashtëm i qeverisë në largim të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka takuar përfaqësuesin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Palmer.