Botë

Ukrainë, parlamenti miraton heqjen e imunitetit të deputetëve

04.09.2019 09:29

Parlamenti i Ukrainës votoi pro heqjes së imunitetit të deputetëve....

Parlamenti i Ukrainës votoi pro heqjes së imunitetit të deputetëve, duke shënuar një fitore për Presidentin Volodimir Zelenski, i cili bëri fushatë me premtimin për të luftuar korrupsionin.
 
Parlamenti miratoi të martën me 373 vota pro, tre abstenime dhe 28 mungesa ligjin e ri për heqjen e imunitetit që i mbronte deputetët nga ndjekja ligjore.
 
Presidenti Zelenski ishte i pranishëm në seancën parlamentare. Ai u përpoq të qetësonte frikën se pas kësaj mase deputetët mund të bëhen objekt përndjekjesh politike nga pushtetarët. Deputetët nuk do të përndiqen për veprime politike, apo për deklaratat e tyre, tha presidenti.
 
Volodimir Zelenski, ish-humorist që u zgjodh president me premtimin për të zhbërë sistemin e korruptuar politik në Ukrainë, gëzon mbështetjen e parlamentit ku partia e tij, Shërbëtorja e Popullit ka 254 nga 450 vendet e organit legjislativ, duke i dhënë atij një mandat të fuqishëm për të përmbushur premtimet e fushatës.
 
Megjithatë, shumë analistë perëndimorë, ndër ta edhe përkrahës të zotit Zelenski po humbasin durimin duke pritur vënien në zbatim të reformave.
Ukraina u rendit e 120-ta në Indeksin e 2018 mbi Perceptimin e Korrupsionit të organizatës Transparency International./VOA