Maqedoni
Masat për zhvillim rural, 38 mln euro për projektet komunale
04.09.2019 15:21
Me 38 milionë euro, para nga buxheti i shtetit, do të financohen projektet kapitale që do të realizohen nga komunat në vend....

Kërkesa për shfrytëzim të këtyre fondeve kanë dorëzuar thuajse të gjitha komunat. 11 prej tyre tashmë kanë nënshkruar kontratat e para për thithje të këtyre fondeve. Paratë do të plasohen si grande në kuadër të programit për zhvillim rural, ndërsa vlera e projekteve që do të realizohen kap shumën prej 1,5 milionë euro.
“Për 3 masat nga programi për zhvillim rural kanë arritur mbi 200 kërkesa me projekte për investime kapitale nga të gjitha komunat, nga të gjitha rajonet. Kemi vendosur fokusin pikërisht në këto masa, sepse realizimi i tyre ka për qëllim zhvillimin e përgjithshëm infrastrukturor në Maqedoninë e Veriut. Pra, mu për këtë qëllim Qeveria ka ndarë 38 milionë euro”,- tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimovski.
Pas përgatitjes së dokumentacionit dhe pas realizimit të këtyre investimeve, komunat obligohen të paguajnë vetëm tatimin e shumës për projektin e realizuar.
“Shuma e përgjithshme e projektit të miratuar do të kompensohet, pasi të paguani TVSh-në për investimin e realizuar dhe tek agjencia pagesore do të bëni dorëzim të dokumentacionit të plotë për realizim të projektit”,- tha drejtori i Agjencisë pagesore, Nikollço Babovski.
“Me realizimin e këtyre kontratave zgjidhim një nga sfidat me të cilat përballen qytetarët, asaj të ndërtim të rrugëve, sistemeve për furnizim me ujë dhe kanalizimeve, organizim të tregjeve dhe zonave për shit-blerje në pjesët rurale”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Nga Qeveria thonë se përpos përmirësimit të kushteve infrastrukturore në vend, presin që realizimi i këtyre projekteve të sjellë edhe përshpejtim të investimeve kapitale.
ZEKIRJA MEXHITI
