Maqedoni
Data për bisedime me BE-në, Dimitrov: Përgjigja jo, dekurajim për Ballkanin. Arsovski: Duhet ekip i mirë negociues, kapacitetet ndërtohen
04.09.2019 15:37
Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, kërkon marrjen e datës për bisedime në tetor...

Për Agjencinë e lajmeve Reuters, Dimitrov ka deklaruar se nëse BE nuk e shpërblen Maqedoninë e Veriut për atë që ka arritur deri më sot, do të dekurajonte të gjitha vendet e tjera të Ballkanit dhe do përcillej mesazhi se investimet politike nuk marrin shpërblimin e premtuar.
“Çështjet e mëdha janë zgjidhur. Nëse nuk ka realizim adekuat të këtij shansi, kjo do të përçohej deri te liderët e tjerë të Ballkanit, se nuk ia vlen të investohet kapital politik në sjelljen e vendimeve të vështira dhe reformat”,- ka thënë mes tjerash Dimitrov për Reuters.
Në pritje të samitit të tetorit, Komiteti për Negociata me të cilin udhëheq kryeministri Zaev vazhdon me ndërtimin dhe përgatitjen e ekipit për bisedime. Hapja e negociatave kërkon ekip mirë të përgatitur, vlerëson analisti, Petar Arsovski. Sipas tij, ky proces ndërtohet me kalimin e kohës dhe nuk dëmton qenësoren e bisedimeve.
“Asnjë vend në fillim kur ka filluar negociatat nuk ka pasur kapacitet. Kapaciteti ndërtohet. Siç hapen kapitujt, ashtu edhe ndërtohen bisedimet. Mos harroni se ka programe serioze të BE-së që u transmetohen vendeve aspirate për t’i ndërtuar kapacitetet e negociatave. Nuk besoj se do t’i ngadalësojmë apo shpejtojmë negociatat për shkak të kapaciteteve të ekipit negociues”,- tha analisti politik, Petar Aarsovski.
Nëse marrim datën për bisedime, hapi i radhës është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare mes vendit tonë dhe BE-së, dhe më pas fillohen negociatat për kapitullin e parë. Nëse do të vazhdojë ky rrugëtim drejt integrimin në BE, do të mësohet në mesin e muajit tetor, kur Këshilli i BE-së do të vendosë për dhënien e datës për Maqedoninë e Veriut.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
