Maqedoni
Situata me zjarret, shuhet zjarri në Gabero të Berovës
04.09.2019 16:34
Zjarri i fuqishëm që seriozisht rrezikoi stanet në rajonin e quajtur Gabero të Berovës, është lokalizuar...

Nga njësiti i zjarrfikësve “Maleshevë” njoftuan se zjarri është shuar një orë pas mesnate. Zjarri shkrumboi në tërësi 16 hektarë pyje dhe livadhe me bar të thatë.
Në afërsi të vendit ku shpërtheu zjarri kishte edhe stane, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima dhe dëme materiale, sepse nuk u lejua që zjarri t’u afrohet objekteve.
Në shuarjen e zjarrit u bashkëngjit edhe popullata lokale, pjesëtarët e MPB-së dhe njësiti i zjarrfikësve në Berovë.
Pjesëtarët e Pyjeve Nacionale pasi kanë kontrolluar terrenin mëngjesin e sotëm, kanë konstatuar se zjarri është shuar plotësisht dhe nuk ka rrezik për riaktivizimin e tij.
Zjarre aktive këtyre ditëve ka pasur edhe në Manastir, Veles, Kumanovë dhe Strumicë. Ndërmarrja "Pyjet Nacionale", ditë më parë paralajmëroi se do të bëjë pyllëzimin masiv në rajonet e përfshira nga zjarret.
Që të pyllëzohen sa më shumë sipërfaqe të dëmtuara nga zjarret, kjo ndërmarrje fton kryetarët e komunave dhe pushtetin lokal të përfshihen në këtë plan.
Plani i Pyjeve Nacionale do të realizohet në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Qeverinë.
GYLTENE SINANI
