Remenski merret në pyetje në PKOK, mohon çdo përfshirje në rastin “Zhvatja”
Pothuajse 3 orë ka zgjatur marrja në pyetje në Prokurorinë për Krim të Organizuar...

Pothuajse 3 orë ka zgjatur marrja në pyetje në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e nënkryetares së Kuvendit dhe deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, lidhur me rastin "Zhvatja".
Në dalje nga Prokuroria, Remenski tha se ishte e ftuar si person prej të cilit kërkohen informacione lidhur me rastin "Zhvatja" dhe Aleancën Ndërkombëtare. Ajo nuk deshi të ndajë informacione që nuk i shkojnë në favor hetimit, megjithatë mohoi t’i njohë personalisht apo të ketë lidhshmëri me prokuroren, Katica Janeva, Zoran Milevskin apo Orce Kamçev.
“Jo. D.m.th. me indinjatë i hedh poshtë lidhshmëritë që ju i bëni si gazetarë në këtë pyetje dhe me përgjegjësi i demantoj këto pyetje. Njihem aq sa njiheni edhe ju nga televizioni”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Remenski mohoi të ketë qenë e pranishme në takimet e Bojan Jovanovskit me biznesmenit rreth transaksioneve në Asociacionit Ndërkombëtar e as nuk u përgjigj nëse ka njohuri se ku përfundojnë mjetet e Asociacionit.
“Të gjitha pyetjet që kanë lidhje me Asociacionin Ndërkombëtar dhe detyrimet që i ka ky asociacion me persona dhe me firma, prani personale nuk kam pasur. Në kontekst të asaj që ishte kërkuar nga Prokuroria Publike dhashë përgjigje dhe tani nuk mund ta them për shkak të fshehtësisë së dëshmisë. Kryesia apo anëtarësia nderi në asnjë moment nuk nënkupton obligim formal - juridik për çfarëdo lloji pjesëmarrje apo vendosje në organe, qoftë parti politike apo organizatë joqeveritare. Vet termi kryetar nderi besoj se e dini se jepet si një lloj mirënjohjeje për aktivitete të caktuara në sferën që prek aktivitete ndoshta të organizatës në të cilën jeni shpallur si kryetar nderi”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Ajo nuk foli për relacionet private që ka me Boki 13, pasi që, siç tha, këtu bëhet fjalë për ngjarje konkrete juridiko-penale dhe jorelacione personale. Ndërsa theksoi se të njëjtin nuk e ka takuar përderisa është në paraburgim.
Fotografitë e përbashkëta me Boki 13 mund të jenë me interes për institucionet kompetente, megjithatë nuk mund të jenë çështje e gjykimit fillestar, tha Remenski. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
