Maqedoni
Mickovski në FB: Asnjë kompromis për drejtësinë, as Përzhinë të re. LSDM: Nëse VMRO do drejtësi, të përkrahë Ligjin për PThP-në. VMRO-DPMNE: Ligjin e frenon LSDM, ka frikë nga drejtësia
04.09.2019 17:30
Sjellja e Ligjit të ri për Prokurorinë Publike përplasi sërish dy partitë më të mëdha maqedonase...

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, përmes një video mesazhi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka përsëritur qëndrimin se për drejtësinë nuk planifikon të bëjë asnjë kompromis.
“Nëse shpresojnë për ndonjë Përzhinë të re, në ndonjë marrëveshje në të cilën do të përsëritet VMRO-DPMNE-ja e dobësuar e cila do të nënshkruajë gjithçka, duhet ta dinë se këtë film nuk do ta shohin më. Për drejtësinë nuk planifikoj asnjë kompromis”,- thotë Mickovski në video.
Por, LSDM akuzon opozitën se pikërisht ata janë penguesit kryesorë të sjelljes së Ligjit për Prokurorinë Themelore, pasi shpresojnë që me ndërprerjen e funksionimit të PSP-së, krimet të cilat i kanë bërë në të kaluarën të mos hetohen.
“Nëse Hristian Mickovski vërtet është për drejtësi, atëherë le të dalë publikisht dhe të kërkojë falje për të gjitha veprimet e bëra nga udhëheqësia e kësaj partie në të kaluarën. Nëse VMRO-DPMNE është për drejtësi, ta përkrahë Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, sepse kjo do të mundësonte që shteti i së drejtës të funksionojë, ndërsa këto janë porosi edhe të faktorit ndërkombëtar që RMV të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s. VMRO-DPMNE është kundër PSP-së, sepse paraardhësit e tyre duhet të përgjigjen për krimet që kanë bërë në dëm të qytetarëve dhe nuk do të ketë shpëtim nga drejtësia”,- u shpreh Kostadin Konstandinov nga LSDM.
VMRO-DPMNE akuzon maxhorancën se janë pikërisht ata që pengojnë bisedimet në grupet e punës, sepse i frikësohen një drejtësie të paanshme që një ditë do të kërkojë llogari për çdo krim.
“Ne mbrojmë qëndrimet tona të cilat korrespondojnë me sjelljen e një ligji i cili do ta kthente shtetin e së drejtës dhe të mos ketë selektim të drejtësisë. Nëse dikush tani e frenon sjelljen e ligjit të ri i propozuar nga ana e LSDM-së, ato janë vetë LSDM-ja me të vetmin qëllim, që më vonë të mund të amnistohen për krimet e bëra”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Nga LSDM pohuan se koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar dhe se Bashkimi Europian dhe ShBA, përmes Metju Palmer, jo larg kërkoi që RMV të rregullon sistemin e drejtësisë, shteti i së drejtës të funksionojë dhe këto çështje partitë politike të mos i shndërrojnë në përfitim të pikëve politike.
FITIM KRYEZIU
