Janeva dërgon letër nga paraburgimi: Lëndët e PSP-së të transferohen në PThP
Kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva...

Kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva, përmes një letre dërguar nga burgu i Shutkës, ku gjendet në paraburgim për rastin “Zhvatja”, ka autorizuar ekipin e saj të prokurorëve specialë që brenda tre ditëve të gjitha lëndët e PSP-së t’ia dorëzojnë Prokurorisë Themelore Publike.
Nga PSP konfirmojnë se letra e saj për autorizim tashmë është dërguar në PThP dhe se këta të fundit duhet të marrin vendim.
“Katica Janeva i autorizon prokurorët specialë që t’i dorëzohen Prokurorisë Themelore Publike të RMV-së të gjitha lëndët që janë në proces të gjykimit, që janë në hetim ose në procedurë parahetimore”,- thuhet në komunikatën e PSP-së.
Letrën e Janevës nuk e komentoi prokurorja speciale, Lile Stefanova, duke u arsyetuar se ende nuk e ka lexuar përmbajtjen.
“Unë isha në gjykim, për letrën e dërguar të Janevës nuk jam e njoftuar hollësisht. Kur do ta lexoj do t’ju tregoj”,- theksoi prokurorja speciale, Lile Stefanova.
Davidoviq: Absurde, nga burgu dorëzon lëndët pa ia kërkuar
Me këtë situatë nuk pajtohet avokati, Zvonko Davidoviq, duke vlerësuar se kërkesa e Janevës për t’i autorizuar prokurorët specialë është joligjore jo vetëm se e njëjta është bërë nga burgu i Shutkës, por se askush nuk ka të drejtë t’i dorëzojë lëndët e PSP-së në ndonjë prokurori tjetër pa kërkesë paraprake.
“Në pajtueshmëri me ligjin për PSP-në, Katica Janeva si kryeprokurore speciale mund të marrë lëndë prej Prokurorisë së Përgjithshme dhe të vendos kompetenca të vërteta mbi ato në afat prej 8 ditëve. Por, e njëjta nuk mund të japë lëndët e saj në ndonjë prokurori që ajo vetë e ka gjetur, në bazë të nenit 6 alineja 5, por e njëjta mundet vetëm të japë pëlqim me shkrim kur prokurori publik ose ndonjë tjetër prokuror prej Prokurorisë së rregullt do të ndërmarrë hetime për lëndët që janë nën kompetencat e saj. E dyta punë kontestueshme është se ajo nuk mund të japë autorizim për të punësuarit e vet, por duhet të japë pëlqim me shkrim atij që e kërkon lëndën, që i bie që duhet të ekzistojë kërkesë për lëndët që dikush i kërkon, e ajo e fundit të pajtohet me dhënien e tyre”,- tha avokati, Zvonko Davidoviq.
Davidoviq vlerëson se e gjithë kjo situatë absurde duhej të ishte menduar më herët duke intensivuar procesin e shkarkimit të Janevës ku nuk do të lihej hapësirë për huti shtesë me fatin e PSP-së. (Rexhep Sulejmani, TVM2)
