Suksesi i hetimeve për rastin “Zhvatja”, Osmani: Mundësi për të treguar se jemi gati për BE

04.09.2019 19:22

BDI është mbledhur në selinë në Reçicë të Vogël për të diskutuar rreth organizimit të brendshëm...

BDI është mbledhur në selinë në Reçicë të Vogël për të diskutuar rreth organizimit të brendshëm në prag të kongresit të radhës, sipas integristëve, do të përcaktohen parimet e BDI-së në 20 vitet e ardhshme.

Bujar Osmani tha para fillimit të mbledhjes se do të diskutohet edhe mbi vetingun si propozim i BDI-së, por edhe çështjet e eurointegrimeve të vendit. E në këto të fundit nga BDI nuk presin që në vendimin e tetorit të ndikojë skandali i fundit, ku dyshohet të jetë e përfshirë edhe kryeprokurorja speciale.

“Nëse rasti “Zhvatja” trajtohet në kuadër të principeve të cilat ne i promovojmë, të efikasitetit, të transparencës, të paanshmërisë, ne këtë krizë mund ta transformojnë në mundësi për t’u treguar vendeve anëtare se krim dhe kriminalitet ka në çdo vend, por dallimin ndërmjet shteteve e bën ajo se a keni institucione që ballafaqohen me ato probleme. Nëse do e trajtojmë dhe do e zbardhim këtë sfidë apo problem, jam i bindur se do të kemi vlerësime pozitive në aspekt të përgatitjes së vendit dhe institucioneve për fillim të bisedimeve”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.