Vazhdon gjykimi për “Titanik”, refuzohet përjashtimi i prokurorëve të PSP-së

04.09.2019 18:46

Në Gjykatën Penale ka vazhduar gjykimi për lëndën “Titanik”...

Në Gjykatën Penale ka vazhduar gjykimi për lëndën “Titanik” për parregullsitë zgjedhore, ku të dyshuar janë ish ministra, kryetarë komunash, policë dhe funksionarë të tjerë të lartë të qeverisë së kaluar.

Para fillimit të debatit kryesor, gjykatësi, Osman Shabani, refuzoi kërkesën e avokatëve, Dimitar Dangov dhe Donço Nakov, për ndërprerjen e procedurës deri në zgjidhjen e situatës me prokuroren speciale në dorëheqje, Katica Janeva, që ndodhet në paraburgim për rastin “Zhvatja”.

U hodh poshtë edhe kërkesa për largimin nga lënda të prokurores speciale, Lile Stefanova, edhe pse avokati Dangov kërkon largimin e saj.

“Më gjithë respektin për prokuroren, Lile Stefanova, për të cilën të gjithë në sallë kanë respekt, por ajo nuk ka të drejtë ta përfaqësojë këtë lëndë për shkak të veprimeve në rastin “Zhvatja””,- theksoi avokati, Dimitar Dangov.

Stefanova rikujtoi mbrojtjen e të akuzuarve se Katica Janeva është ende prokurore speciale.

“Për momentin, Katica Janeva është prokurore speciale dhe asnjë autorizim që i është dhënë nuk i është marrë. Nuk mundet paraburgimi në ndonjë lëndë tjetër të ndikojë në gjykimet apo mbrojtjen e akuzave”,- theksoi prokurorja speciale, Lile Stefanova.

Gjykimi për rastin “Titanik” për parregullsitë zgjedhore, në të cilin janë të akuzuar ish kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish funksionarë të lartë shtetërorë, ka vazhduar me prezantimin e dëshmive. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)