Këshilli hodhi poshtë kërkesën e Kuvendit, raporti për shkarkimin e Janevës mbetet sekret

04.09.2019 19:04

Raporti i Këshillit të Prokurorëve për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva...

Raporti i Këshillit të Prokurorëve për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva, mbetet sekret.

Këshilli hodhi poshtë kërkesën e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve për të deklasifikuar këtë dokument që të mund të mbajë seancë të hapur për opinionin. Vendimi është dërguar në Kuvendin republikan.

“Në seancën e Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 04.09.2019, Këshilli mori vendim se kërkesa për deklasifikimin e raportit për konfirmimin e gjendjes faktike numër 03-133/06, të datës 29.08.2019, të dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk mund të pranohet meqë Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ende po ndjek procedurë hetimore për lëndët aktuale të formuar kundër prokurores publike speciale dhe për këto arsye duhet të mbrohen të drejtat e personave që janë përmendur në raport ose të pengohet ndikim i palejuar në këtë procedurë”,- thuhet në kumtesën e Këshillit të Prokurorëve.

Përkundër vendimit të Këshillit të Prokurorëve që të klasifikojnë raportin, kryetari i Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, Ilija Dimovski, një ditë më parë, tha se ka kërkuar deklasifikimin e këtij dokumenti, pasi konsideron se është e drejtë ekskluzive e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve që të vendos nëse diskutimi për këtë çështje duhet të jetë i mbyllur ose i hapur për opinion.

Ndërkaq, zëdhënësi i LSDM-së, Kostandin Kostadinov, i rekomandoi Dimovit që të respektojë Ligjin dhe vendimin e Këshillit të Prokurorëve.

“Kryetari i Komisionit, fillimisht nuk duhet të shkel ligjin. E dimë se kjo është me kërkesë të Këshillit të Prokurorëve, ku është i qartë rekomandimi dhe udhëzimi i Këshillit të Prokurorëve, se seanca e mundshme e hapur mund të dëmtojë hetimin”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Seanca e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva, është caktuar për ditën e enjte. (Shpëtim Nuredini, TVM2)