Kushtetuesja në Kosovë, hedh poshtë kërkesën e Haradinajt

04.09.2019 20:04

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar të papranueshme...

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar të papranueshme për interpretim kërkesën e kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.

“Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Andaj, Gjykata njëzëri vendosi të deklaroj kërkesën të papranueshme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit , pas  ftesës së  marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për një intervistë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Haradinaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që t’ia definojë përgjegjësitë gjatë kohës sa ai dhe qeveria në largim do të funksiononin në dorëheqje. Si pasojë e vendimit për dorëheqje, Kuvendi i Kosovës u shpërnda dhe presidenti Hashim Thaçi shpalli 6 tetorin si datë për mbajtje të zgjedhjeve të parakohëshme.