MASh: Bisedimet me SAShK-un vazhdojnë
MASh dhe SAShK ende vazhdojnë bisedimet....

MASh dhe SAShK ende vazhdojnë bisedimet për të përafruar qëndrimet për rritjen e pagave në sektorin e arsimit.
Sipas numrit një të dikasterit të Arsimit, Arbër Ademi, komunikimi me SAShK-un vazhdon në baza ditore.
I pyetur për masat radikale të paralajmëruara nga SAShK nëse deri në fund të shtatorit nuk do të arrihet marrëveshje, Ademi mohon kushtëzimet dhe potencon se po bisedohet në mënyrë miqësore për gjetjen e një zgjidhjeje adekuate.
“Deri sot për hir të së vërtetës nuk ka pasur kushtëzime apo kërcënime po në mënyrë të hapur dhe miqësore tamam si dy partnerë kemi diskutuar dhe po diskutojmë dhe në atë mënyrë po e vazhdojmë diskutimin me SAShK-un dhe besoj se kemi kredibilitetin e nevojshëm që atë fjalë që e themi të ketë peshë dhe siguri se e njëjta do të realizohet”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Furnizimi i shkollave me libra, MASh: Këtë javë rrumbullakohet procesi
E derisa vazhdojnë bisedimet për përmirësimin e pagave në arsim, MASh vazhdon edhe aktivitetet e tjera në kompetencat e veta. E një prej tyre është shpërndarja e librave nëpër shkolla.
Ademi thotë që procesi i shpërndarjes aty ku ka mungesë librash, do të përfundojë brenda kësaj jave, sipas të gjitha parashikimeve. Lidhja e kontratave me shtëpitë botuese po vijon siç është paraparë me dispozitat ligjore.
MASh, sipas Ademit, është në fazën e evaluimit të ofertave të kompanive për tekstet për të cilat ministria ka ekskluzivitet.
“Së shpejti do të kemi aukcion elektronik dhe do të përcaktojmë operator i cili do të jetë për pjesët që janë paraparë për prokurim publik i angazhuar nga MASh për të shtypur, botuar tekstet për MASh-in, e cila në këtë rast ka të drejtën ekskluzive”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Risi për këtë fillim të vitit shkollor ndërkohë është edhe leja nga Ministria e Financave për angazhimin e mësimdhënësve tandem për mbajtjen e lëndës së arsimit fizik dhe shëndetësor. Tani e tutje në shkollat fillore do të angazhohet arsimtar i kualifikuar për lëndën e edukatës fizike. (Flutura Latifi, TVM2)
