Pollozhani: Nuk jemi të informuar për shkurtim mjetesh në buxhet për UNT-në

04.09.2019 20:45

Ribalanci ka prekur edhe institucionet...

Ribalanci  ka prekur edhe institucionet që nuk kanë shfrytëzuar deri tani mjetet e ndara me propozim buxhetin fillestar. Shkurtim mjetesh ka edhe për universitetin “Nënë Tereza” , nga 200 milionët e paraparë në fillim, buxheti është shkurtuar në 156 milion denarë.

Edhe pse shkurtimi i mjeteve u paralajmërua që dje, rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, thotë se ende  nuk është në dijeni për këtë vendim.

Pohon se kompleksi universitar është premtim i Qeverisë, e si i tillë, pret evitimin e shpejtë të pengesave aktuale administrative për ndërtimin e komplektit universitar.

“Unë nuk e kam parë, dëgjuar ose kam parë material konkret për atë se çfarë ka ndodhur me propozimin për ribalans. As me atë se a do ta bëjnë aprovimin në parlament. Gjithsesi mund të thuhet që vonesat administrative të cilat po tej zgjaten, pra janë bërë arsye që ne të mos mund t’i harxhojmë mjetet që na janë dedikuar për investime në kompleksin universitar të ri. Ne shpresojmë që këta vonesa administrative të evitohen dhe procesi të përshpejtohet dhe të mos ndodh më që në fillim të vitit të na japin nga 200 milion dhe në fund për shkak të mos-harxhimit, për arsyet që i cekëm, këto, prap të na i marrin” – u shpreh Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani.