Maqedoni
3 vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës, aktivitete të shumta në trevat mbarëshqiptare
05.09.2019 09:11
Për të shënuar përvjetorin e ndarjes nga jeta dhe 3 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës....

Për të shënuar përvjetorin e ndarjes nga jeta dhe 3 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, që bota tash më i njeh si ditë të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare në Shkup ka planifikuar aktivitete të shumta jo vetëm në qytetin ku ajo lindi, por edhe në Tiranë. Drejtori i ITShKShM-së, Skënder Asani, njofton se kohëve të fundit kanë arritur të sigurojnë dokumente nga arkiva të ndryshme europiane që ndriçojnë historinë e sagës familjare të Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në Shkup si strumbullari i vetëdijes kombëtare shqiptare të fillimshekullit të kaluar, ku babai i Gonxhes, Kolë Bojaxhiu, ishte bartësi kryesor i kësaj vetëdijeje. Në këtë kontekst janë bërë edhe disa hulumtime në arkivat e Beogradit, prej nga dr. Asani ka sjellë në Shkup dhjetëra dokumente e fotografi që plotësojnë mozaikun e njohurive mbi familjet katolike shqiptare të Shkupit, por edhe të familjeve katolike shqiptare të Shkupit. Aktivitete do të mbahen njëkohësisht sot edhe në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet e tjera ku jetojnë shqiptarët, por edhe në Vatikan.
Gonxhja u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Për ta rikujtuar veçojmë një fragment të letrës që ajo kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “E dashura teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju japë gjithshka që ju dëshiron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.
