Maqedoni

Vazhdon beteja për lëndët e PSP-së, Fetai: Me rëndësi lëndët, jo prokuroritë

05.09.2019 11:31

Prokurorja speciale, Fatime Fetai, është e mendimit se nuk është me rëndësi se cila prokurori do të përfaqësojë në të ardhmen lëndët e PSP-së....

Prokurorja speciale, Fatime Fetai, është e mendimit se nuk është me rëndësi se cila prokurori do të përfaqësojë në të ardhmen lëndët e PSP-së, por është me rëndësi që ato të procesuohen deri në fund dhe personat që kanë shkelur ligjet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. Fetai nuk ka dyshime se vendimi më i mirë do të ishte sikur prokurorët specialë të vazhdonin me përfaqësimin e lëndëve të tyre, por shprehet e gatshme që të respektojë çdo vendim të Prokurorisë Themelore Publike. 
 
“Për momentin nuk duhet të na interesojnë imtësirat dhe ngjarjet e momentit. Megjithatë, duhet ta shohim atë fotografi të madhe, gjegjësisht qëllimin më të lartë. Kjo është për momentin që të gjejmë mënyrë të mos lejojmë, gjegjësisht të parandalojmë, që ata të cilët kanë gabuar para ligjit, të mos përgjigjen. Në këtë drejtim, sipas Fetait, sido që të jetë vendimi përfundimtar lidhur me fatin e lëndëve të PSP-së, apo pa marrë parasysh nëse vendimi do të jetë që ne të vazhdojmë t’i përfaqësojmë ato lëndë apo prokurorë të tjerë, megjithatë ky vendim do të ishte më i mirë nga cilado qoftë zgjidhje të cilën e dëshirojnë politikanë të caktuar për momentin, që duke shfrytëzuar zbrazëtirat e caktuara juridike dhe duke keqpërdorur pushtetin politik, të vijnë te zgjidhja që do të nënkuptonte ikjen e plotë apo të pjesshme të përgjegjësisë penale”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Jozyrtarisht mësojmë se të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale do të kalojnë në duart e Prokurorisë Publike, por nga kjo e fundit deri tani nuk kanë dalë me konfirmim zyrtar. As nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë njoftuar nëse janë konsultuar siç paralajmëruan se çfarë ndikimi do të ketë autorizimi i dhënë nga Janeva ndaj negociatave për Ligjin e ri për PTHP-në. 
 
REXHEP QAMILI