Hiqen barrierat doganore me Kosovën, rifillon import-eksporti i produkteve të ndaluara
Janë tërhequr barrierat me Kosovën sa i përket qarkullimit të lirë të disa mallrave....

Janë tërhequr barrierat me Kosovën sa i përket qarkullimit të lirë të disa mallrave. Tashmë lavrat dhe produktet e peshkut nga Kosova mund të importohen në Maqedoni të Veriut, kurse mjalti dhe patatet e vendit mund të eksportohen në Kosovë.
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, risqaron se masat nuk ishin të vendosura ekskluzivisht për Kosovën, por masa të ndërmarra për të gjitha shtetet të cilat nuk dorëzojnë dokumentacion për implementim të standardeve që kërkon BE.
“Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës e dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm sa i përket programit për monitorim aktiv dhe pasiv të produkteve të peshkut dhe bazuar në atë program, AUV i RMV-së sot ka marrë vendim që të lejojë importin e këtyre produkteve në vendin tonë”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Barriera e vendosur nga Kosova nuk ka pasur ndikime në ekonominë e vendit, vlerëson Bekteshi. Kjo, sipas tij, për shkak se produktet e Maqedonisë së Veriut plotësojnë standarde për t’u eksportuar në tregun evropian.
“Ne paralelisht kemi punuar që të fitojmë edhe tregje të reja, siç është tregu evropian. Ne i kemi kryer të gjitha procedurat, i kemi plotësuar të gjitha standardet, posaçërisht për eksportin e mjaltit. Në një afat prej një muaji atë do ta bëjmë edhe për eksportin e patateve. Në atë mënyrë dëmet sa i përket eksportit të patateve dhe mjaltit janë pothuajse zero”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi tha se ata do të mbeten të përkushtuar për të reaguar çdoherë kur konstatojnë se ndonjë shtet nuk po implementon standardet e BE-së, sidomos për faktin që Maqedonia e Veriut pret fillimin e bisedimeve me BE-në në tetor dhe këto standarde patjetër duhet implementuar. (Ersan Paraziti, TVM2)
