KÇZE i propozon Kuvendit të shkarkojë Janevën

05.09.2019 16:56

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve i propozon Kuvendit....

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve i propozon Kuvendit që të shkarkojë prokuroren speciale, në dorëheqje, Katica Janevën. Anëtarët e Komisionit votuan njëzëri, pa diskutim, vendimin për të ratifikuar Raportin e Këshillit të Prokurorëve Publikë.

“Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, në bazë të raportit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ratifikoi propozim për shkarkimin e Janevës për shkak të veprimit të jashtëligjshëm, joprofesional dhe të pandërgjegjshëm. Vendimi bazohet në të dhënat që morëm nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i cili këto të dhëna i ka marrë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë”,- tha kryetari i KÇZE-së, Ilija Dimovski.

Propozimi i Komisionit i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili në afat të arsyeshëm duhet të thërret seancë plenare. Deputetët do të shqyrtojnë vetëm propozimin e Komisionit për Shkarkim, pasi raporti i Këshillit të Prokurorëve është i klasifikuar.

Nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, relativizoi përmbajtjen e raportit të Këshillit të Prokurorëve. Sipas tij, buja politike dhe mediatike që është ngritur për rastin “Zhvatja”, do të shuhet me procedimin e rastit në gjyq.        

“Mendoj se nuk duhet të jeni të shqetësuar se kush e di se çfarë ka në raport e që opinioni nuk e di. Shpresoj se hetimi do të përfundojë shpejt dhe do të fillojë proces gjyqësor, ku fajtorët për këtë rast do të përgjigjen dhe mjegulla e spekulimeve që u përhap në opinion do të zbardhet”,- tha deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Për shkarkimin e kryeprokurorit special nevojitet votim i cilësuar prej 80 votave pro dhe votim sipas parimit të Badenterit. Meqë votimi në Komision ishte unanim, pritet që edhe votimi në seancë plenare të jetë i tillë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)