Kulturë
“Kolë Bojaxhiu - atdhetari shkupjan”, historia e panjohur e babait të Nënë Terezës
05.09.2019 17:16
Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, ITShKShM në bashkëpunim me Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në Shkup...

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, ITShKShM në bashkëpunim me Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në Shkup, promovuan librin me materialet e konferencës shkencore kushtuar babait të Nënë Terezës, të titulluar “Kolë Bojaxhiu - atdhetari shkupjan”. Nga ITShKShM thonë se historia e familjes së Nënë Terezës është fshehur qëllimisht për të mohuar prejardhjen etnike të saj, por vepra e atdhetarit, Kolë Bojaxhiu, nuk mund të fshihet me fshehjen e dokumenteve.
“Asnjëherë nuk është folur për Kolë Bojaxhiun, sepse këtu është argument që ju jepet atyre të cilët e mohojnë identitetin kombëtar të Nënë Terezës, sepse Kolë Bojaxhiu ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare”,- theksoi drejtori i ITShKShM-së, Skender Hasani.
“Shpresoj se do të jetë frymëzim për punëtorët e shkencës të këtij instituti, por edhe i të gjithëve, që të jetë frymëzim dhe motivim që të punojmë më tutje, t’i nxjerrim në pah vlerat tona shqiptare”,- tha drejtori i Shtëpisë Përkujtimore “Nënë Tereza”, Arjan Asllanaj.
“Botimi i këtyre materialeve janë një fryt i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe mua me vjen mirë që kemi pasur mundësi të mbështesim këtë projekt”,- theksoi ministri i Kulturës, Isni Ismaili.
“Me shumë përpjekje arritëm që t’i bëjmë bashkëhulumtuesit nga tre vendet e ndryshme të rajonit ku jetojnë shumicë shqiptare, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia”,- theksoi koordinatorja e projektit, Nora Maliqi.
“Një libër që ka me pas jehonë të madhe këtu e gjithandej. Një libër në një mënyrë e ndriçon familjen dhe prejardhjen e nënës së madhe, Nënë Terezës”,- theksoi përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës, Agim Krasniqi.
Vdekja e Kolë Bojaxhiut ka ndodhur në rrethana të panjohura, me t’u kthyer nga Beogradi. Pikërisht kjo ngriti dyshime se ai është helmuar nga agjentët serbë. Varri i tij gjendet tani në Butel të Shkupit pranë varreve të katolikëve shqiptarë.
“Familja e Nënës Terezë nuk pati njerëz të cilët do të angazhoheshin për rivarrimin, e atëherë kisha katolike në krye me ipeshkvin e atëhershëm edhe 11 të tjerë katolikë të cilët nuk patën përfaqësues të familjeve të veta, e varrosën në Butel”,- theksoi Anton Sereqi.
Kolë Bojaxhiu ishte biznesmen dhe politikan shqiptar. Ishte ai që ndërtoi teatrin e parë në Shkup. Kola ka marrë pjesë në zhvillimin e linjës hekurudhore, ishte i vetmi këshilltar shqiptar në qytetin e Shkupit dhe deri në fund të jetës u angazhua për të drejtat e shqiptarëve. E kjo pjesë e historisë për 100 vjet u mundua të fshihej.
REJHANE BUSHI METAJ
