Letra e Janevës, Zaev: Dispozitat ligjore lejojnë kalimin e lëndëve
Kryeministri Zaev e quan logjike veprimin e kryeprokurores speciale në dorëheqje, Katica Janeva....

Kryeministri Zaev e quan logjike veprimin e kryeprokurores speciale në dorëheqje, Katica Janeva, që lëndët e PSP-së të kalojnë në Prokurorinë Publike. Sipas kreut të ekzekutivit, kjo është edhe kërkesë e VMRO-së.
“Edhe nëse nuk arrihet marrëveshje, dispozitat aktuale ligjore thonë se lëndët e PSP-së duhet të kalojnë në PTHP. E drejta e prokurorit special është qartësuar në Ligjin për Prokurorinë Publike dhe është vendim i lejuar ligjor i prokurorit special që t’i dorëzojë të njëjtat”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Vazhdon beteja për lëndët e PSP-së, Fetai: Me rëndësi lëndët, jo prokuroritë
Prokurorja speciale, Fatime Fetai, thotë se nuk ka rëndësi se cila prokurori do të përfaqësojë në të ardhmen lëndët e PSP-së, me rëndësi që ato të procesuohen deri në fund dhe personat që kanë shkelur ligjet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. Fetai nuk ka dyshime se vendimi më i mirë do të ishte sikur prokurorët specialë të vazhdonin me përfaqësimin e lëndëve të tyre, por shprehet e gatshme që të respektojë çdo vendim të Prokurorisë Themelore Publike.
“Sido që të jetë, vendimi përfundimtar lidhur me fatin e lëndëve të PSP-së, apo pa marrë parasysh nëse vendimi do të jetë që ne të vazhdojmë t’i përfaqësojmë ato lëndë apo prokurorë të tjerë, megjithatë ky vendim do të ishte më i mirë nga cilado qoftë zgjidhje të cilën e dëshirojnë politikanë të caktuar për momentin, që duke shfrytëzuar zbrazëtirat e caktuara juridike dhe duke keqpërdorur pushtetin politik, të vijnë te zgjidhja që do të nënkuptonte ikje të plotë apo të pjesshme nga përgjegjësia penale”,- prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Nga deklarimet duket qartë se të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale do të kalojnë në duart e Prokurorisë Publike, por nga kjo e fundit deri tani nuk kanë dalë me konfirmim zyrtar. (Rexhep Qamili, TVM2)
