Maqedoni

Pendarovski: Medalje për zjarrfikësit e guximshëm

06.09.2019 15:14

Medalje nga presidenti, Stevo Pendarovski, për tetë zjarrfikësit e Njësitit territorial të zjarrfikësve në Shkup...

Medalje nga presidenti, Stevo Pendarovski, për tetë zjarrfikësit e Njësitit territorial të zjarrfikësve në Shkup, të cilët më 10 qershor kanë dëshmuar guxim dhe vet sakrificë për evakuimin e 7 banorëve të bllokuar në katet e sipërme të një ndërtese që ishte kapluar nga zjarri në Kisella Vodë të Shkupit. Pendarovski me këtë rast shfaqi shpresë se medaljet do të shërbejnë si motivim në punën e mëtejme të zjarrfikësve. 
 
“Nëse në vitin 2018 Brigada kundër zjarrit kishte gjithsej një mijë e 264 intervenime të lidhura me zjarre, këtë vit vetëm deri më 31 gusht kishte një mijë e 252 intervenime. Njëherit dua të theksoj edhe angazhimin e këtij Njësiti për shpëtimin e njerëzve që kishin pësuar në fatkeqësinë e komunikacionit të autobusit të ‘Durmo Turs’ në autostradën Shkup-Tetovë”,- tha presidenti i RVM-së, Stevo Pendarovski.
 
Gjatë kësaj vere zjarret kanë qenë të pranishme pothuajse në tërë vendin, qoftë në objekte banimi apo në natyrë, ku është dashur të intervenojnë zjarrfikësit. 
 
“Brigada për mbrojtje kundër zjarrit këtë vit u përball me disa intervenime serioze, të cilat i kemi realizuar me profesionalizëm maksimal dhe me përkushtimin tonë, nuk lejuam fatkeqësi më të mëdha dhe katastrofa”,- theksoi komandanti i Brigadës së zjarrfikësve – Shkup, Vlladimir Simonovski.
 
Mirënjohjet për zjarrfikësit e guximshëm presidenti Pendarovski i ndau në prag të ditës së pavarësisë - 8 shtatorit. 
 
GYLTENE SINANI