Vazhdojnë bisedimet për Ligjin për PP-në, Zaev: Lëndët, gjithsesi, do të përfundojnë në PP
Grupet punuese mes pushtetit dhe opozitës vazhduan bisedimet...

Grupet punuese mes pushtetit dhe opozitës vazhduan bisedimet për harmonizimin e qëndrimeve rreth projekt ligjit për Prokurori Publike, përkatësisht për harmonizimin e amendamenteve që palët kanë dorëzuar në Kuvendin republikan. Shkurtimi i afateve për të gjetur një zgjidhje për statusin e ardhshëm të Prokurorisë Speciale, por edhe qëndrimi i Prokurorisë Publike që të marrë rastet e Speciales, ka rritur presionin në grupet punuese. Burime brenda partive në negociata njoftojnë se kompromisi është i mundur.
Për të lehtësuar procesin nuk përjashtohet mundësia për mbajtjen e një takimi të liderëve. Kryeministri, Zoran Zaev, shprehu gatishmëri për të ndihmuar personat kompetentë në negociata, por takimi do të ndodh nëse grupet e kërkojnë një gjë të tillë dhe nëse bie dakord edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
“Presim nga grupet punuese të na tregojnë nëse duhet mbajtur takim liderësh. Sot, ata kanë takim. Nëse konstatojnë se duhet takim liderësh, unë jam i gatshëm. Do të prononcohet edhe z. Mickovski. Sipas të gjitha gjasave, edhe liderë të tjerë, nëse ka nevojë. Qëllimi është që të gjejmë zgjidhje, përkatësisht të ndihmojmë personat kompetentë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Arritja ose jo e një kompromisi për pr/ligjin për Prokurori Publike nuk do të pengojë procedimin e lëndëve të hapura nga Specialja. “Ato, gjithsesi do të përfundojnë për procedim në Prokurorinë Publike” -konsideron Zaev.
“15 shtatori po vjen. Edhe sikur të mos gjejmë zgjidhje, lëndët do të shkojnë te prokurori shtetëror. Nëse arrihet kompromis, sipas ligjit të ri, sërish shkojnë te prokurori shtetëror. Gjithsesi se kjo është zgjidhje. Sipas të gjitha gjasave edhe prokuroren speciale, Katica Janeva, kjo e ka nxitur që të dorëzojë lëndët, afrimi i datës së vetë ligjit. Ndoshta edhe nuk mund të gjejmë zgjidhje, por unë besoj se duhet bërë çmos që të arrijmë marrëveshje dhe Kuvendi të miratojë me konsensus Ligjin për Prokurori Publike”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Që nga 29 gushti, kur pr/Ligji u fut në procedurë parlamentare në Komisionin për Çështje Evropiane, palët arritën të harmonizojnë qëndrimet dhe të miratojnë 10 nga gjithsej 51 amendamente për ndryshimin dhe plotësimin e pr/Ligjit për Prokurori Publike, të dorëzuara nga parti të ndryshme, në Komisionin për Çështje Evropiane.
Megjithatë, pushteti dhe opozita mbeten të ndara për çështjet kryesore, siç është fati i lëndëve të proceduara nga Specialja dhe materialeve që disponon ky institucion si dhe zgjedhja e prokurores së Prokurorisë së re. Opozita kërkon ndërprerjen e procedurës për lëndët e ngritura pas afatit 18 mujor të Speciales dhe mundësinë që prokurorja e re e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të zgjidhet me propozim të opozitës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
