PSP: PPR merr kompetencat në lëndët e PSP-së
Prokuroria Publike republikane ka vendosur që t’i marrë në kompetencë...

Prokuroria Publike republikane ka vendosur që t’i marrë në kompetencë të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale Publike. Nga kjo prokurori vendimin në fjalë e bazojnë në pozitën kushtetuese që ka Prokuroria republikane.
"Qëndrimi i tillë bazohet në pozitën kushtetuese të Prokurorisë republikane, si organ i vetëm shtetëror kompetent për ndjekjen e veprave penale dhe veprave tjera të vërtetuara me ligj si vepra të dënueshme. Parimi i legalitetit të ndjekjes penale, sipas të cilit prokurori publik është i obliguar të ndërmarrë ndjekje penale, nëse ekzistojnë dëshmi se është kryer vepër penale për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare, si dhe obligimin në emër të shoqërisë të kujdeset për efikasitetin e sistemit penalo-juridik, duke respektuar parimin e sigurisë juridike të qytetarëve si vlerë thelbësorë për sundimin e së drejtës",- theksojnë nga Prokuroria Publike.
Kambovski: Kalimi i lëndëve në PPR është ligjor
Lidhur me delegimin e lëndëve në Prokurorinë republikane, ekspertët juridikë kishin qëndrime të ndara. Akademiku, Vllado Kambovski, nuk sheh asgjë kontestuese që lëndët e PSP-së të kalojnë në Prokurorinë republikane. Sipas tij, PSP luajti rolin e saj pasi e njëjta ishte formuar si institucion i jashtëzakonshëm dhe i afatizuar.
“PSP luajti rolin e saj në një, kushtimisht thënë, periudhë transicioni, hapi disa procese dhe kjo është mjaft e guximshme, por kuptohet që si institucion i jashtëzakonshëm kishte një afat të caktuar dhe duhet të inkorporohet, pasi që supozohet se bashkërisht me reformat në sistemin gjyqësor, ngadalë aftësohet Prokuroria Publike si institucion në tërësi, që në mënyrë efikase të menaxhojë problemet me krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Prokurori shtetëror publik ka autorizim të përgjithshëm sipas vendosshmërisë kushtetuese të Prokurorisë Publike që bazohet në vendosje hierarkike, të ndërmarrë lëndë nga cilido prokuror dhe prokurori dhe t’ua ndajë ato lëndë prokurorëve të tjerë që, sipas mendimit tim, do të jenë prokurorët e PSP-së”,- theksoi akademiku, Vllado Kambovski.
Kallajxhiev: S'ka bazë juridike për dorëzimin e lëndëve
Por, profesori universitar, Gordan Kallajxhiev, thekson se juridikisht nuk ka autorizim që Katica Janeva t’i dorëzojë lëndët as në kushte normale, e lë më tani nga paraburgimi.
“Është qartë se ky është fundi i PSP-së. D.m.th. nuk ekziston interes që Maqedonia të ketë institucione të pavarura dhe autonome të cilat do të luftonin me korrupsionin e nivelit të lartë. Nga kjo del që PSP është keqpërdorur vetëm se të rrëzohet VMRO nga Qeveria dhe asgjë më shumë nga idetë e çmuara. Askund në ligj nuk është e paraparë që kjo prokurori t’i dorëzojë të gjitha lëndët, veçanërisht jo në këtë situatë ku Janevës praktikisht i ka mbaruar mandati, ku nuk ka vullnet politik që të zgjidhet prokurorë i ri”,- theksoi profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.
Profesori Kallajxhiev nuk i fsheh pakënaqësitë e tij edhe pas takimit në Ministrinë e Drejtësisë mes përfaqësuesve të Prokurorisë republikane, asaj speciale, përfaqësues të Ministrisë dhe ekspertë.
Sipas tij, koncepti i Ministrisë parasheh shuarje të PSP-së pa dhënë arsyen e vërtetë se pse ndodh kjo. Këtë nuk e shpjegon as Bashkësia Ndërkombëtare e as Ambasada amerikane, ideja e të cilave ishte formimi i PSP-së, tha Kallajxhiev. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
