Ademi: Në shkollat me numër të madh nxënësish, do të hapen paralele shtesë
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, premtoi zgjidhje të problemit me numrin e madh të nxënësve që u paraqitën në disa shkolla me mësim në gjuhën shqipe në fillim të këtij viti shkollor.
Ai para gazetarëve bëri të ditur se është bërë tanimë kërkesë deri tek Ministria e Financave për hapjen e paraleleve shtesë në disa shkolla, përfshirë shkollën “Hasan Prishtina” në Çair të Shkupit, ku numri i nxënësve arrin në rreth 40 në një klasë.
“Një mësimdhënës me grup klasor në Shkollën “Hasan Prishtina” është dhënë pëlqim nga ana jonë dhe është përcjellë për konfirmim në Ministrinë e Financave. Po ashtu për një mësimdhënës me grup klasor në shkollën periferikë të Mojancës së komunës së Haraçinës është dhënë pëlqim nga ana jonë dhe është përcjellë për konfirmim në Ministrinë e Financave, si dhe për Shkollën “Vëllazërimi” në komunën e Karposhit, ku ka nevojë të angazhohet një mësimdhënës, është dhënë pëlqim nga ana jonë dhe është dërguar në Ministrinë e Financave për konfirmim”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Ademi: Tekstet shkollore po distribuohen nëpër shkolla
I pyetur për distribuimin e librave, Ademi informoi se mëngjesin e së premtes ka marrë informatë se librat dhe tekstet shkollorë po distribuohen me dinamikën e paraparë në të gjitha shkollat.
“Librat dhe tekstet shkollore po distribuohen nëpër shkolla dhe janë në drejtim të finalizimit veçanërisht për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë. Kur jemi te sigurimi i teksteve shkollore kemi dy procedura. Procedurën e sigurimit të teksteve shkollore për të cilat të drejtën ekskluzive e kanë shtëpitë botuese dhe aty nuk kemi problem. Kemi procedurën e sigurimit të teksteve shkollore, për të cilën MASh ka të drejtën ekskluzive dhe për të cilën jemi në përfundim të prokurimit publik për të zgjedhur botuesin”,- theksoi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Ademi më tej shtoi se janë në fazën përfundimtare për zgjedhjen e operatorit ekonomik për botimin e librave, nga i cili do të kërkojnë që të botojë të gjitha tekste shkollore që janë 4 apo 5 vite të dëmtuara apo të plotësuara dhe të njëjtat nuk mund të shfrytëzojnë aktualisht në procesin edukativo-arsimor. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
