Sh. M. “Cvetan Dimov”, fasadë moderne me efikasitet energjetik

06.09.2019 19:03

Shkolla e Mesme “Cvetan Dimov” merr pamje të re me ndërtimin e fasadës moderne me efikasitet energjetik...

Shkolla e Mesme “Cvetan Dimov” merr pamje të re me ndërtimin e fasadës moderne me efikasitet energjetik. Autoritetet thonë se përpos që duket bukur, kjo fasadë kontribuon edhe në rregullimin e temperaturave dhe do të ndikojë në përmirësimin e procesit arsimor.

“Me përmbylljen e këtij investimi që ka të bëjë me një fasadë me efikasitet energjetik, e cila mundëson edhe rregullimin e temperaturave, qoftë gjatë periudhës verore, qoftë gjatë periudhës dimërore. Cilësia në arsim varet edhe nga kushtet në të cilat realizohet procesi arsimor, por e shohim se në një sërë shkollash, një sërë institucionesh arsimore, po bëhen investime të rëndësishme”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

“Ky është ai vizion që e kemi si qytet për atë se si duhet të duken shkollat, vendet ku fëmijët tanë arsimohen. Paratë e qytetarëve i shpenzojmë për prioritete të vërteta, i harxhojmë për arritjet më të larta teknologjike të cilat janë në treg, në vend të stiropolit që ishte karakteristikë në të kaluarën”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Shkolla ka pasur investime permanente, por ky investim ka qenë një ndër investimet më kapitale deri më tash. Ne do të vazhdojmë me projekte të tjera”,- theksoi drejtori i Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov”, Visar Durak.

Fasada është e ndërtuar nga panele me ngjyrë të aluminit në përputhje me standardet bashkëkohore për mbrojtje kundër zjarrit, efikasitet energjetik dhe izolim termik. Investimi në fjalë ka kushtuar 34 milionë denarë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)