Ndërtohet rruga Dollnen - Çashkë, distanca rrugore shkurtohet për 60 km

06.09.2019 19:15

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi...

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri për Sistem Politik, Sadulla Duraku, drejtori i “Rrugëve të Maqedonisë së Veriut”, Bekim Memeti, dhe kryetari komunës, Xhemil Qamili, kanë inspektuar punimet në rrugën e re që lidh komunën e Dollnenit me komunën e Çashkës.

Përfundon faza e parë e ndërtimit të rrugës që lidh komunën e Dollnenit me atë të Çashkës. Zhvillimin e punimeve e kanë inspektuar zyrtarë të lartë të pushtetit lokal dhe qendror. Rruga që lidh komunën e Dollnenit me atë të Çashkës ka një rëndësi të veçantë për banorët e fshatrave të Dollnenit, sepse ajo e shkurton në masë të madhe distancën e lidhjes rrugore me Shkupin.

Ai tha se kjo rrugë ishte kërkesë e banorëve të Pellagonisë dhe Çashkës, pasi e njëjta rrugë lidh pothuajse të gjitha fshatrat shqiptarë të Prilepit dhe Velesit, ndërsa shkurton distancën rrugore drejt Shkupit për mbi 60 kilometra.

Me këtë projekt të rëndësishëm, që kap vlerën prej 80 milion denarëve, realizohet një ëndërr e kamotshme e banorëve të kësaj ane, u shprehën ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, drejtori i “Rrugëve të Maqedonisë së Veriut”, Bekim Memeti, dhe kryetari komunës së Dollnenit, Xhemil Qamili. (Shaban Dalipi, TVM2)