Turqi, dënohet udhëheqësja e opozitës në Stamboll
Partia kryesore opozitare në Turqi ka njoftuar se udhëheqësja e degës së saj në Stamboll...

Partia kryesore opozitare në Turqi ka njoftuar se udhëheqësja e degës së saj në Stamboll është dënua me nëntë vjet e tetë muaj burgim, kryesisht për shkak të postimeve në mediat sociale.
Canan Kaftancioglu, nga Partia Republikane Popullore, u shpall fajtore, mes tjerash, edhe për “propagandë terroriste”.
Ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në fitoren e kandidatit të kësaj partie, Ekrem Imamoglu, në zgjedhjet për kryetar të Stambollit, këtë vit.
Ka qenë kjo hera e parë në 25 vjet që partia e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka humbur pushtetin në qytetin më të madh të Turqisë.
Kaftancioglu u dënua për pesë akuza, përfshirë: “poshtërimin” e shtetit, “ofendimin e një zyrtari publik”, “ofendimin e presidentit” dhe “nxitje të njerëzve për të urryer”. Akuza për “propagandë terroriste” kundër saj ka të bëjë me citimin e një anëtari të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka bërë një kryengritje të përgjakshme kundër shtetit turk që nga viti 1983.
