Maqedoni

Koha ka filluar të freskohet, ndikimi i motit te pacientët dhe dhimbje kronike

07.09.2019 14:40

Stina e verës ngadalë po ia lë vendin stinës së radhës...

Temperaturat kanë filluar të bien, e tani më rallë do të kemi ditë të nxehta ku termometri do të ngrihet mbi 30 gradë.
 
Sinoptikët thonë se këto temperaturat e shtatorit të sivjemë, nuk ndyshojnë shumë nga ato të një viti më parë dhe nuk priten ndryshime drastike në 10 ditë e ardhëshme, java që vjen pritet të jetë e ngrohtë e kryesisht  pa shi. 
 
“Të dielën dhe të hënën do të ketë kushte për rreshje të shkurtra shiu më pas presim disa ditë me kohë stabile, përvec të mërkurës, ku do të vërehen vranësira në pjesën jug perendimore të vendit”, u shpreh sinoptikani Boris Sekirarski.
 
Edhe pse koha do të vazhdojë të jetë e ngrohtë për stinën, ata që vuajnë më së shumti ndryshimin e stinëve janë meteopatët.
 
Disa persona janë më të ndjeshëm ndaj motit, madje është ky i fundit që vendos nëse duhet ose s’duhet të qeshin.
 
Cdo lëvizje e temperaturave, sjell ndryshime edhe  shëndetin e  tyre. Simptomat më të shpeshta që vërehen kohëve të fundit, janë lodhjet e gjymtyrëve, kokëdhimbjet dhe marrjet e mendve. E nga këto nuk vuajnë vetëm meteopatët por edhe shumë qytetarë të tjerë. 
 
“Kjo kohë me ndryshime, ngrohtë freskët, tek pacientët shkakton probleme, kemi shtim të numrit të thirrjeve. Pacientët ankohen për kokëdhimbje, marrje mendsh, kolabojnë, kemi lëvizje të shpeshta të tensionit të gjakut, pacientë të shumtë vijnë me tension që varion në këtë periudhë,  tensioni i gjakut ngrihet ose te disa pacietë bie nën normale. Porosisim pacientët të marrin me rregull terapitë,  sidomos ato për tension e sëmundje zemre.  Lëvizja e temperaturave në këtë periudhë do të thotë se pacientëve u duhet pak kohë të adaptojnë trupin”, theksoi mjekja e ndihmës së shpejt.  
 
Një studim i fundit 18 mujor që ka përfshirë 9 mijë persona që vuanin nga dhimbje kronike, si dhimbje shpine, artrit ose migrenë, konfirmon edhe shkencërisht lidhjen midis përkeqësimit të kohës dhe rritjes së nivelit të dhimbjeve tek kjo kategori.
 
Ky studim vërteton se gjyshërit tanë kishin të drejtë kur parashikonin prishjen e motit , vetëm sepse fillonin t’u dhimbnin kockat. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI