Maqedonia e Veriut, shënon 28 vjetorin e pavarësisë
Maqedonia e Veriut sot shënon 28 vjetorin e referendumit të suksesshëm të vitit 1991...

Maqedonia e Veriut sot shënon 28 vjetorin e referendumit të suksesshëm të vitit 1991, në të cilin qytetarët e Maqedonisë e shpallën veten të pavarur dhe sovran.
Më 25 janar 1991, Kuvendi i parë shumëpartiak i Maqedonisë miratoi Deklaratën e Pavarësisë.
Vullneti i njerëzve për një shtet të pavarur u konfirmua zyrtarisht me Deklaratën e pranimit të rezultatit të referendumit të 18 shtatorit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Hapi tjetër i rëndësishëm për forcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.
Dhjetë vjet më vonë, Kushtetuta u ndryshua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë.
Subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit u afirmua përfundimisht me 8 Prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e plotë e 181-të e Organizatës Botërore.
Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga Greqia, e cila nuk e pranoi emrin kushtetues të vendit, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara ishte nën referencën e përkohshme si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, Shkupi dhe Athina filluan bisedimet për zgjidhjen e problemit, dhe më në fund pas dekadash bisedimesh, u nënshkrua marrëveshje në 17 qershor të vitit të kaluar në Prespë për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin.
