Maqedoni

8 shtatori: Shënohet 28 vjetori i pavarsisë së RMV-së

08.09.2019 15:49

Republika e Maqedonisë së veriut shënon 28-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish federata jugosllave...

Republika e Maqedonisë së veriut shënon 28-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran.
 
Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
 
Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi. Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991  e cila u plotësua 10 vjet më vonë ,pas konfliktit në vitin 2001,dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
 
Gjatë 28 viteve Maqedonia e veriut, kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat euro-atlantike.
 
Edhe krizat e fundit politike shkaktuan ngecje në procesin e eurointegrimeve, por u tejkaluan me marrëveshjen e Përzhinos, zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe formimin e shumicës së re qeveritare.
 
Por me nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës u hap rruga drejtë NATO-s dhe BE-së. Me rrumbullaksimin e procesit të ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e të gjitha vendeve anëtare të Aleancës, pritet që vendi deri në fund të vitit apo fillimin e vitit të ardhshëm zyrtarisht të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.
 
Pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian për progresin e vendit, pritjet janë se në tetor Maqedonia e Veriut do të marrë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
 
FLORIE BELULI KAMBERI