Botë

Uragani “Dorian”, shkatërrim në Bahamas, nevojiten ndihma urgjente

09.09.2019 13:15

Numri i vdekjeve është rritur në 43 në Bahamas, pas kalimit mbi ishull të uraganit të kategorisë së 5, “Dorian”....

Shumë njerëz ende mungojnë në apel e kjo shton frikën e autoriteteve se numri i viktimave mund të rritet. Mijëra shtëpi janë rrafshuar me tokën, telekomunikimi është ndërprerë, rrugë e ura janë dëmtuar, uji nuk pihet pothuajse askund. Ata që e mbajnë mend uraganin  Floyd që në 1999 shkatërroi ishullin, thonë se as që krahasohet me shkatërrimin që solli uragani “Dorian”. 
 
“Në një moment na u duk sikur një këmbë e stërmadhe shtypi çatinë e shtëpisë sonë. Më pas një prej dritareve thjesht u copëtua. Gjithë natën u fshehëm duke parë se si uji hynte nga dritaret dhe nga e çara që ju bë çatisë”,- tha banori i zonës, Charles Cornish.
 
Në  portin Marsh, infrastruktura pothuajse nuk ekziston më. Rajoni është I populluar kryesisht me emigrant të jashtëligjshëm dhe komunitetet e tyre janë shkatërruar pothuajse tërësisht.
 
“Preokupimi ynë kryesor janë emigrantët pa dokumente, si të tillë vështirë të identifikojmë sa prej tyre janë zhdukur”,- theksoi koordinatori i KB-ve për Bahamasin, Mariko Kagoshima.
 
Përgjatë ishujve Abako dhe Grand Bahama, portet dhe aeroportet papritmas u vërshuan nga njerëzit që përpiqen të largohen sa më larg shkatërrimit. Megjithatë mbetet sfiduese përballja me dëmet dhe ndihma e atyre që kanë vendosur të qëndrojnë. 17 mijë njerëz janë evakuuar në Abako para se uragani të godasë dhe ndihmat për ta ende janë të pakta. 3,300 persona janë strehuar nëpër qendrat e emergjencës. Shumë prej tyre tani po largohen prej atje pasi mungon uji, ushqimet e ilaçet. 
 
“Shkatërrimi fizik është i njëjtë me shkatërrimin e infrastrukturës. Kemi nevojë urgjente për ujë, ushqim, ilaçe, paketa higjienike. Kombet e  Bashkuara kanë dërguar ekipe specialistësh për të ndihmuar njerëzit të marrin veten nga traumat”,- deklaroi Rein Paulsen nga Zyra Nacionale për Koordinimin e Ndihmave.
 
Në Nasau ka filluar mbërritja e ndihmave urgjente që po shpërndahen në zonat e shkatërruara, përfshirë edhe 14 700 paketa të gatshme ushqimore që tashmë janë shpërndarë njerëzve të uritur. Por për ndihma ka gjithnjë e më tepër nevojë. 
 
MIGENA GORENCA