Helmohen 5 nxënës të një shkolle fillore në Prishtinë

09.09.2019 14:29

Pesë nxënës të një shkolle filloreje në Prishtinë...

Pesë nxënës të një shkolle filloreje në Prishtinë janë duke marrë shërbim mjekësor në një klinikë infektive, pasi janë helmuar.

Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazilu. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte në shkollën “Elena Gjika”, ndërsa lajmi është publikuar sot.

“Ju konfirmojmë se 5 nxënës të shkollës fillore janë duke u mjekuar në Klinikën Infektive, nën dyshimet se janë të helmuar nga ushqimi. Janë jashtë rrezikut për jetë”,  tha Fazliu për “Telegrafin”.

Nëna e një prej nxënësve të shtruar në spital, tha se fëmija i saj pasi kishte përfunduar orarin mësimor ishte ndjerë keq, ndërsa shton se kishte pasur të vjella dhe temperaturë.

“Që nga e premtja fëmija im është i sëmurë, jemi në spital. Ka ngrënë në bufenë e shkollës në pushim të gjatë. Fëmija është në ndërrimin e pasdites dhe pasi ka përfunduar orarin mësimor, në orën 19:00 të premten kanë nisur të vjellat dhe ka pas temperaturë të lartë. E kemi sjell në spital dhe analizat i kanë dalë që ka të bëjmë me helmim”, u shpreh nëna.