Kocijançiç: Investimet kineze, rrezik për Ballkanin

09.09.2019 15:54

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, ka tërhequr vërejtjen....

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e investimeve kineze në vendet e Ballkanit perëndimor, të cilat sipas saj mund të shkaktojnë ngarkesë të lartë me borxhe.

Ajo ftoi qeveritë e këtyre vendeve që t’i kushtojnë kujdes të veçantë sigurimit të investimeve të partnerëve të tjerë që i ndihmojnë rajonit për të përmbushur standardet e BE-së. Kocijançiç në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka sqaruar se financimi i Bashkimit Europian të infrastrukturës përfshin mjete pa kthim që ndërlidhen me kredi me kamata atraktive.

Kjo është në kundërshtim me financimet kineze, të cilat vijnë gati ekskluzivisht në formë huash me hapa të rëndësishëm financiarë. Prandaj, qeveritë duhet të jenë të kujdesshme që këto investime të mos e fusin ekonominë në nivele të larta borxhesh, që do të mund të rezultonte me kontrollin e transferit të pasurive strategjike dhe të resurseve në të ardhmen”,- ka thënë Kocijançiç.

Ajo njëherit ka shtuar se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të padiskutueshme europiane dhe se pjesë e këtij procesi është edhe domosdoja që të kompensohet modernizimi i infrastrukturës në këtë vende.

“Bashkimi Europian pret nga partnerët në Ballkanin Perëndimor që të përmbushin detyrimet e veta në përputhje me Marrëveshjet e tyre për Asociim Stabilizim (MSA), sidomos nga aspekti i ndihmës shtetërore dhe furnizimeve publike që të mbrojnë qëndrueshmërinë fiskale të ekonomive dhe investimeve të veta”,- thekson Kocijançiç.

Zëdhënësja e BE-së ka rikujtuar se BE-ja vazhdon të jetë partneri më kryesor i rajonit për tregti e investime, kështu që 70 për qind e tregtisë së Ballkanit Perëndimor është me BE-në, ndërsa 60 për qind e investimeve të drejtpërdrejta në rajon janë nga BE-ja.

“Në anën tjetër, më pak se 6 për qind e tregtisë dhe e investimeve të jashtme në rajon janë nga Kina”,- ka thënë Kocijançiç.

Sipas të dhënave zyrtare, BE ka dhënë Ballkanit Perëndimor mbi 11 miliardë euro për zhvillimin e infrastrukturës së komunikacionit dhe të energjisë. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)