Maqedoni
Arsovski: Në takim liderësh, pritet marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë. Pritet nismë për shkarkimin e Jovo Vangellovskit
09.09.2019 16:13
Analisti politik, Petar Arsovski, nuk pret marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë...

Analisti politik, Petar Arsovski, nuk pret marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë në takimin e grupeve të punës mes pushtetit dhe opozitës.
Sipas tij, deri te marrëveshja mund të vijë në takimin e paralajmëruar të liderëve. Megjithatë, Arsovski vlerëson se opozita nuk është në gjendje të inponojë zgjedhje të parakohshme.
“Mendoj se nuk duhet të pritet shumëçka prej takimeve të grupeve të punës, pasi që mendoj se partitë do ta presin takimin e liderëve. Nuk mendoj se grupet e punës do të dalin me diçka konkrete para takimit të liderëve. E dyta është se nuk besoj se do të kalojë tentimi i opozitës që në takimin e liderëve do të mund të imponojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që Mickovski do të jetë nën presione të faktorit ndërkombëtar të arrijë ndonjë marrëveshje për PTHP-së, sepse nëse kjo nuk ndodh, zvogëlohen shanset për të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në në tetor dhe në këtë rast përshtypja do të ishte se opozita është fajtore për këtë”,- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
Ai po ashtu është i mendimit se gjatë kësaj jave në Kuvend do të shkarkohet nga detyra kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva, dhe më pas do të fillojë procesi i shkarkimit të kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, për të cilin Arsovski parashikon se mund të ketë qëndrime të ndara mes partnerëve të koalicionit LSDM-BDI.
“Mendoj se në fund do të mbet kjo rreth shkarkimit të kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, ku mendoj se edhe në kuadër të koalicionit qeveritar do të ketë qëndrime të ndara, e sidomos mes LSDM-së dhe BDI-së, pasi që herën e kaluar shkarkimi u anulua për shkak të BDI-së, kështu që mbetet të shihet se cilat do të mund të jenë pasojat eventuale në lidhje me shkarkimin e tij”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Arsovski njëherit thekson se është me rëndësi të arrihet marrëveshja për Ligjin e Prokurorisë, pasi i njëjti hapë rrugën drejt BE-së.
Afati i fundit për të miratuar këtë ligj është deri më 15 shtator.
REXHEP QAMILI
