Maqedoni
Gashi: Pa implikimin e Turqisë, Ballkani nuk mund të ketë paqe afatgjate
09.09.2019 16:25
Kryetari i partisë, Alternativa, Afrim Gashi, ka deklaruar se në Ballkan nuk mund të ketë paqe afatgjate pa implikimin e Turqisë....

Gashi këtë e theksoi në një intervistë për “Anadolu Agency”, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ku thekson nevojën për një dialog përfundimtar, epilogu i të cilit do të jetë njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.
"Mendoj se jo vetëm që implikimi i Turqisë do ta ndihmonte, lehtësonte arritjen e marrëveshjes, por do ta ndihmonte edhe palën shqiptare, duke i ditur raportet e mira që i ka shteti turk me kombin shqiptar edhe me Kosovën në përgjithësi. Por, ajo nga ana tjetër mund të jetë edhe një garanci e paqes, duke qenë anëtare e NATO-s dhe një partner i fuqishëm me ShBA-të në NATO",- theksoi Gashi.
Ai, duke rikujtuar vizitën e tij të paradokohshme në Ankara, potencoi se qëllimi i kësaj vizite ka qenë që të sjellin investitorë turq në Maqedoninë e Veriut si dhe një bashkëpunim institucional mes dy vendeve. Shqiptarët dhe turqit për shkak se kanë jetuar në një shtet për 500 vite edhe zhvillimet ekonomike mes këtyre dy kombeve, popujve zhvillohen shumë natyrshëm, thotë Gashi.
"Dikush mendon që me ndërprerjen e tyre do t’i orientojë shqiptarët në një drejtim tjetër, nga një kulturë, traditë tjetër. Po mendoj se çdo tentativë do të jetë e pasuksesshme dhe mendoj se do të jetë në dëm të shqiptarëve. Për shkak se nuk mund dhunshëm të imponojmë disa gjëra që kanë rrjedhur me shekuj e me vite",- u shpreh Gashi, duke vlerësuar se prishja e raporteve nuk është në interes as të shqiptarëve e as të turqve.
Gashi thotë se më së shumti shqiptarë të Maqedonisë së Veriut jetojnë në Turqi sesa në Kosovë ose Shqipëri, duke shtuar se është shumë e natyrshme që raportet miqësore dhe familjare të ekzistojnë.
REJHANE BUSHI METAJ
