Maqedoni
Shekerinska: Puna u shpagua, arritëm qëllimin për anëtarësim në NATO
09.09.2019 16:59
Puna shpaguhet, energjia dhe këmbëngulja kthehen me rezultate....

Ky është mesazhi që u përcoll nga ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në majën Galiçica. Ngjitja në këtë majë nuk është e rastësishme, për shkak se pamja e dy liqeneve, të Ohrit dhe Prespës, simbolizon dy qëllimet strategjike që ka Maqedonia e Veriut, anëtarësimin në BE dhe në NATO, tha Shekerinska.
“Para dy viteve anëtarësimi në NATO dukej me të vërtetë i paarritshëm. Dolëm nga një krizë, NATO nuk tregonte interes për anëtar të ri, por ja dy vite pas asaj anëtarësimi ynë në NATO është caku strategjik i yni më i madh dhe është i kapshëm, nuk na ndan asnjë muaj nga anëtarësimi. Me të njëjtën fuqi, energji dhe me të njëjtën dije dhe këmbëngulje, tani kthehemi në cakun tonë të dytë, e ai është fillimi i bisedimeve me BE-në. Ashtu siç pamja e dy liqeneve na lë pa frymë, edhe puna në këto qëllime strategjike është e vështirë, por kënaqësia dhe rezultatet janë të mëdha”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet vlerësuan se është shumë e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut të mbetet e përkushtuar në aspiratat e saj.
“Në fakt kjo është mjaft simbolike. Nuk ishte e lehtë të arrihet te rruga e pavarësisë. Ashtu siç e dimë, pas pavarësisë në vitin 2001, ju kishit një konflikt që u zgjidh me Marrëveshjen e Ohrit, kurse në vitin 2017 në anën tjetër nënshkruat Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, me çka hapët dyert për në Evropë. NATO është afër jush dhe së shpejti do jeni anëtarja e 30 e Aleancës”,- u shpreh shefi i Zyrës së NATO-s për Lidhje, Zoran Jankoviç.
“Vlerësoj se kjo është një mundësi e mirë për përfaqësuesit nga Aleanca e NATO-s dhe BE-së së bashku të shoqërohen dhe në këtë mënyrë ta shënojnë këtë ditë”,- theksoi ambasadorja e ShBA-ve në RMV, Keir Brns.
“Kjo ishte ide e shkëlqyeshme. Ky është simbol i paqes, simbol i shpresës dhe mendoj se duhet të punojmë bashkërisht për paqe dhe për të ardhmen”,- tha ambasadori i Francës në RMV, Kristijan Timonie.
Qindra pjesëmarrës ecën për rreth 3,5 kilometra për t’u ngjitur në majën e Galiçicës.
ERSAN PAJAZITI
