Maqedoni

Takimi i liderëve, në fokus Ligji për Prokurorinë Publike

09.09.2019 17:42

Kryeministri, Zoran Zaev, dhe kreu i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, pritet të takohen të martën...

Kryeministri, Zoran Zaev, dhe kreu i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, pritet të takohen të martën, në përpjekje për të harmonizuar qëndrimet rreth Ligjit për Prokurorinë Publike.
 
Ndonëse nuk ka detaje rreth takimit, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, paralajmëroi se në takim do të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
Ai nuk tregoi se në çfarë formati do të mbahet takimi,por tha se presin seriozitet nga pushteti dhe të shmanget praktika që pas çdo hapi të kthehen në pikën fillestare të bisedimeve.
 
“Më me rëndësi do të jetë qasja e pushtetit ndaj kësaj çështje nëse do të dëshmojnë seriozitet gjatë takimeve të grupeve të punës dhe më pas në takimin e liderëve dhe a do të tejkalohet sëmundja që çdo hap të kthehet në pikën fillestare. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme ishte kushti për organizimin e takimit të liderëve”- tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë, ndër të tjera, shprehu besim se vendi ka aftësi me një shumicë prej dy të tretave për të miratuar Ligjin për Prokurori Publike.
 
“Jam i bindur se kemi kapacitet se si shtet me 2/3 e votave ta miratojmë Ligjin për Prokurori Publike. Të gjitha rastet dhe çdo rast krimi dhe korrupsioni, si në vendet e zhvilluara, duhet të marrin një zgjidhje efektive, të drejtë dhe të barabartë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ndërkohë, sekretari i ASh-së, Arben Taravari, ka reaguar lidhur me takimin e paralajmëruar, duke theksuar se takimi i liderëve nuk duhet të mbahet vetëm mes Zaevit dhe Mickovskit, pa praninë e liderëve shqiptarë.
 
Për miratimin e Ligjit për Prokurori Publike nevojitet shumicë prej dy të tretave në Kuvend. Për shkak të afateve të shkurtra, Ligji pritet të miratohet deri më 15 shtator. 
 
NAIM RAMADANI