Botë
Meta: nuk kam përgjegjësi për krizën politike
09.09.2019 17:58
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dëshmuar këtë të hënë në Komisionin hetimor të ngritur posaçërisht për shkarkimin e tij....

Për rreth dy orë, Meta iu përgjigj pyetje të ngritura nga anëtarët e Komisionit lidhur me ligjshmërinë e dekreteve të firmosura prej tij për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Arma e fortë me të cilën presidenti legjitimoi anulimin e datës 30 qershor si ditë zgjedhjesh, ishte informacioni i siguruar nga shërbimet sekrete se më 30 qershor do të kishte trazira.
Veç rendit e sigurisë, presidenti rreshtoi si argument për shtyrjen e zgjedhjeve krizën politike në vend.
Seanca e marrjes në pyetje është karakterizuar nga respekti dhe qetësia reciproke. Nga mazhoranca nuk ka pasur ndonjë reagim, ndërsa në mbyllje të mbledhjes, përpara se të largohej nga Kuvendi, Ilir Meta pati një takim rreth 30 minuta me Gramoz Ruçin.
Ndërkohë, ligjërisht është ende në fuqi data 13 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, pavarësisht se nga institucionet përgjegjëse nuk është ndërmarrë asnjë lëvizje.
LULJETA NDOKA
