Botë

Qeveria “Conte 2” merr votëbesimin e Parlamentit

10.09.2019 13:46

Me 343 vota pro, 263 kundër, qeveria “Conte 2” fitoi votëbesimin e dhomës së ulët të parlamentit italian....

Në fjalën e gjatë që kishte si qëllim bindjen e deputetëve, Kryeministri Giuseppe Conte, u bëri thirrje atyre të mos humbasin asnjë moment.
 
“Na pret një punë e madhe. Nevojiten ide, përkushtim dhe vizion për të ecur përpara pa asnjë pasiguri. Nuk mund të shpërdorojmë kohën që na ka mbetur me përplasje e zënka”.
 
Ndër planet kryesore të koalicionit të ri është përgjysmimi i parlamentarëve, një kusht ky i panegociueshëm i Lëvizjes 5 Yjet, si edhe një ligj i ri zgjedhor. Tashmë pa Lega Nord në qeveri, aleanca 5 Yjet – PD premtoi zbutje të qëndrimit ndaj refugjatëve.
 
Seanca maratonë u shoqërua me replika të nxehta mes Kryeministrit dhe deputetëve të Lega Nord. Partia e Matteo Salvini, akuzoi koalicionin e ri për pazare kolltuqesh në dëm të interesit të italianëve.
 
Pasi mori mbështetjen e dhomës së ulët, Kryeministri Conte do të përballet me votëbesim edhe në Senatin italian të martën./Tv Klan