Maqedoni
Fati i Speciales në duart e liderëve, Zaev: Interesi shtetëror mbi të gjitha
10.09.2019 15:14
Pas disa tentativave të dështuara të grupeve të punës për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët....

Pas disa tentativave të dështuara të grupeve të punës për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për fatin e Ligjin për Prokurorinë Themelore Publike dhe fatin e Prokurorisë Speciale Publike, situatën sot në dorë e marrin liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristian Mickovski, që do të takohen në orën 20:00 në Kuvend. Kreu i LSDM-së pohoi sot se temë e këtij takimi duhet të jetë interesi i shtetit dhe jo i partive politike.
“Do të jem i kujdesshëm në takimin e sotëm dhe do t’i jap mundësi dialogut, për atë nëse jemi të përgjegjshëm dhe kemi vullnet dhe dëshirë, mund të gjejmë një marrëveshje. Do të flasim, unë mendoj se ka zgjidhje, por duhet të shohim se çka është në interes, ardhmëria e shtetit, faktori ndërkombëtar apo interesi ynë partiak. Duhet ta dimë se sistemi gjyqësor nuk është vetëm fati i PSP-së dhe i prokurorëve të cilët janë në atë prokurori, por aty janë edhe fatet e 92 personave të tjerë të angazhuar aty”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev ka komentuar edhe kërkesën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që, sipas tij, është kërkesë e pranueshme, por ato të mbahen jo më herët se në tetor të vitit 2020.
“Ata kërkuan zgjedhje të parakohshme, komenti im ishte “OK” le të jenë në fund të tetorit të vitit 2020, sepse realisht dhjetori është dimër dhe i mbështesim këto qëndrime. Do të bisedojmë, unë nuk i di se cilat janë argumentet për kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme, por ne nisemi prej asaj çka është me të vërtetë e mirë për vendin tonë”,- theksoi kryetari i LSDM –së, Zoran Zaev.
Nga VMRO-DPMNE kanë pohuar se lideri i tyre, Hristian Mickovski, në takim do ta ngrejë çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke përkujtuar se ky ka qenë kushti kryesor për mbajtjen e takimit të liderëve. Nga VMRO-DPMNE presin kompromis nga ana e Qeverisë, pasi opozita nuk ka ndërmend të lëvizë nga qëndrimet e saj. Për shkak afateve të shkurtuara, Ligji i ri për Prokurorinë Publike pritet të sillet më së voni deri më 15 shtator, por më parë do të duhet të sigurohet edhe 2/3 e votave në Kuvend, sjellja e këtij ligji është e një rëndësie të veçantë për rrugën eurointegruese të vendit.
FITIM KRYEZIU
