Maqedoni

Protesta pranë shkollës në Radishan, prindërit kërkojnë më shumë siguri për fëmijët

10.09.2019 15:44

Nxënësit në lagjen Radishan të Shkupit filluan mësimin

Nxënësit në lagjen Radishan të Shkupit filluan mësimin gjysmë ore më herët këtë të martë. Jo në klasa, por në rrugën para Shkollës Fillore “Ace Shopov”, ku javën e shkuar një motoçiklist që kalonte me shpejtësi marramendëse para shkollës, aksidentoi një 9-vjeçar. Banorët që protestuan në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre, thonë për TVM 2, se rruga nuk ka sinjalistikë të mjaftueshme dhe kalimi për këmbësorë është në një vend të papërshtatshëm.
 
Kërkojnë semafor, madje edhe një person që të rregullojë komunikacionin, sidomos në periudhën kur fëmijët hyjnë e dalin nga mësimi. Përkujtojnë se “fëmijët nuk kanë frena”, e për këtë frena duhet të kenë të rriturit. 
 
“Shumë shpejt vozitet në këtë rrugë, këtu duhet të ketë patjetër polic. Kishte vetëm dy ditë dhe tani nuk po i shohim. Ka ndodhur edhe herëve tjera raste të tilla, nuk është hera e parë”,- theksoi një qytetar.  
 
“Kush të blejë më shpejt ushqim gjatë pushimit të gjatë, kështu bëjnë fëmijët. Duhet të ketë polici, duhet të ketë sigurim, sepse çdo prind është shqetësuar nga shkeljet që kanë ndodhur në këtë shkollë”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Të ketë më shumë polici dhe nëse mund të ndërtohet një urë siç është në Çair, që të munden nxënësit të kalojnë mbi urë”,- tha një qytetar. 
 
“Fëmijët janë ende të vegjël, duhet të ketë sigurim më të madh, polici, por edhe prindërit të mos shkaktojnë rrëmujë”,- deklaroi një qytetar. 
 
Smilevski: Kujdes gjatë vozitjes dhe parkimit
 
Nga komuna e Butelit sqarojnë se stacioni i autobusëve do të dislokohet,  po shqyrtohet edhe mundësia për vendosjen e semaforëve. Apelojnë që shoferët të kontrollojnë shpejtësinë kur kalojnë pranë shkollës. Kreu i komunës, Smilevski,  për Kanal 5, deklaroi se edhe prindërit krijojnë rrëmujë duke parkuar. 
 
“Kjo situatë shkaktohet nga prindërit që i lënë automjetet në rrugë edhe pse ka parkingje, edhe pse ka parking adekuat. Jo vetëm në këtë rrugë, në të gjitha rrugët vozitet shpejt, kishim marrëveshje me policinë që gjatë pushimit të nxënësve të ketë policë. Ne si komunë veç më do të vendosim edhe matës të shpejtësisë dhe po shqyrtohet edhe mundësia për vendosjen e semaforëve”,- tha kryetari i komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
 
Për tre vite me radhë, pikërisht në këtë vend, janë lënduar tetë këmbësorë, prej të cilëve gjashtë janë fëmijë.
 
FLUTURA LATIFI