Botë
Parlamenti “ia lidh duart” Johnsonit, Britania nuk shkon në zgjedhje të parakohshme
10.09.2019 16:21
Parlamenti britanik nuk e mbështeti kërkesën e kryeministrit, Boris Johnson, për zgjedhje të parakohshme.....

Propozimi i tij u mbështet vetëm nga 293 deputetë, prej 434 votave të domosdoshme për të çuar vendin në zgjedhje. Johnson është i prerë se nuk do të kërkojë zgjatje të afatit për largimin nga Bashkimi Evropian, ndonëse ligji që i kërkon zgjatjen e këtij afati deri në vitin 2020, nëse nuk sigurohet një Brexit me marrëveshje, hyn në fuqi të hënën.
“Kjo qeveri do të vazhdojë përpjekjet për një marrëveshje, duke qenë e përgatitur të largohet edhe pa një të tillë. Unë do të shkoj në Samit në Bruksel më 17 tetor dhe do të negocioj largimin më 31 tetor. Pavarësisht sa herë do të mundohet ky parlament të lidh duart e mia, unë do të arrij të gjej marrëveshje në interes të vendit”,- tha kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.
Opozita thotë se është në favor të zgjedhjeve, por nuk mbështet organizimin e tyre pa u siguruar se është dakorduar zgjatja e afatit për Brexit-in. Kryeparlamentari, John Bercou, gjatë paralajmërimit për një pushim të detyruar 5 javor, u tha deputetëve se “po e dobësojnë vetë këtë parlament, duke rrezikuar veten”.
“Unë tërësisht e kuptoj se pse një pjesë e madhe e anëtarëve janë shumë më rehat të qëndrojnë aty ku janë”,- theksoi kryetari i Parlamentit britanik, John Bercow.
Brexit ka futur në krizë politike Britaninë e Madhe, që ka mbajtur imazhin e saj qindravjeçar si “nëna e demokracisë”. Deputetët janë në pushim të detyruar deri pak para datës së Brexit-it, e kjo i jep dorë të lirë kryeministrit të veprojë si të dojë, pasi që nuk ka instancë të kontrollit demokratik. Udhëheqësit e BE-së kanë theksuar se nuk kanë marrë ndonjë propozim të ri rreth kësaj çështje.
LEUNORA KALIQI
