Maqedoni
5 raste të reja me fruth, Filipçe: Përforcojmë kontrollet dhe dënimet
10.09.2019 16:33
Java e parë e shkollës shënoi vetëm pesë raste të reja me fruth, edhe atë nga fëmijë të pavaksinuar....

Nuk ka për momentin fëmijë të infektuar, eventualisht prej atyre të sëmurëve. Por, ka njoftime se në shkolla është lejuar regjistrimi edhe i fëmijëve të pavaksinuar, duke shkelur kështu urdhrin e prerë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe MASH-it, se asnjë fëmijë pa katron të rregullt vaksinal nuk mund të regjistrohet. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, mbetet i prerë në qëndrimin se fëmijët e pavaksinuar nuk guxojnë të pranohen në çerdhe e shkolla ku rrezikojnë të infektojnë moshatarët e tyre. Nuk përjashtohet mundësia që të vijojnë rekomandime të reja e as për dënime.
“Gjatë kësaj jave do të përforcohen kontrollet nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe do të ketë dënime për ata që nuk respektojnë vendimin, edhe pse nuk ka ndonjë rritje të numrit të rasteve të fruthit pas fillimit të vitit të ri shkollor. Javën e kaluar janë regjistruar 5 raste të fëmijëve me fruth dhe të gjithë ishin të pa vaksinuar”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Një pikë e re vaksinimi është hapur tashmë në Poliklinikën e Çairit. Do të vazhdohet me Poliklinikën “Jane Sandaski” - Bit Pazar dhe pastaj edhe në poliklinikën në “Gjorçe Petrovit”. Sa i takon padive penale të ngritura nga disa prindër që janë kundër vaksinimit të fëmijëve, Filipçe sqaroi se janë takuar me grupin e qytetarëve që janë kundër vaksinimit dhe kanë lënë edhe një takim tjetër ku të dyja palët do të japin argumentet e tyre rreth kësaj çështje. Përkujtoi se gjykata ka hedhur poshtë para disa muajve ankesën ndaj njërës prej masave të marra nga ministria.
VLORA LATIFI TOPOJANI
