Maqedoni
PSP: Nuk ka arritur shkresë për dorëzimin e lëndëve
10.09.2019 17:10
Edhe pse ka disa ditë që Prokuroria republikane ka vendosur për marrjen e kompetencave mbi lëndët e PSP-së....

Edhe pse ka disa ditë që Prokuroria republikane ka vendosur për marrjen e kompetencave mbi lëndët e PSP-së, nga kjo e fundit informojnë se akoma nuk kanë pranuar shkresë më shkrim që të mund të njoftojnë se si do të veprohet me lëndët e Speciales. Nga PSP shprehin keqardhje se akoma nuk është zgjedhur prokuror publik e as nuk është arritur zgjidhje ligjore për statusin e kësaj prokurorie. Mungesa e rregullativës do të sjellë probleme reale në realizimin e të drejtave të punës, përfshirë edhe procedurat e sigurisë me të gjitha materialet që disponon PSP.
Bubevski: Pranim-dorëzimi mund të ndodhë shpejt
Prokurori special, Gavrill Bubevski, shpreson që pranim-dorëzimi i lëndëve të ndodhë shumë shpejt. Kjo procedurë , sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të jetë shkas për prolongimin e procedurave gjyqësore.
“Mundet që shumë shpejt të ndodhë edhe dorëzimi i lëndëve dhe ardhja përsëri në seanca gjyqësore, mund të jenë prokurorë të tjerë, por mund edhe prokurorët e njëjtë, siç tha edhe Joveski. Se çfarë teknike do të aplikojë Prokuroria Publike do të shohim në vazhdim”,- tha prokurori special, Gavrill Bubevski.
Zdravev: Lëndët e PSP-së të kenë përfundim adekuat
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev, thekson se të gjitha lëndët e PSP-së, pavarësisht se në cilën fazë gjenden, duhet të marrin përfundim adekuat ligjor, me këtë dhe të mënjanohet bllokimi i disa lëndëve të PSP-së që u bë me mendimin juridik të Gjykatës Supreme.
“Mendimi im është se të gjitha lëndët që janë të hapura nga PSP duhet patjetër të marrin epilog përfundimtar gjyqësor. Kuptohet se lëndët që janë në procedurë gjyqësore do t’i mbarojnë, ndërsa lëndët që janë në procedurë të prokurorisë të cilat nuk janë përfunduar, prokurorët janë ata që duhet ta punojnë pjesën e tyre të punës dhe të dorëzojnë shkresa konkretë në kuptimin e aktakuzës apo propozime deri tek gjykatat se si do të mund që edhe ato të veprojnë. Fakti që këto lëndë i merr Prokuroria e rregullt bën që parimi i mendimit juridik të Gjykatës Supreme të deplasohet”,- u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev.
Aleksiq: Dorëzimi i lëndëve nuk ka bazë ligjore
Për avokaten, Sanja Aleksiq, përfaqësuese e të akuzuarve në disa nga lëndët e PSP-së, nuk ka bazë ligjore që PSP t’i dorëzojë lëndët në prokurorinë e rregullt, sepse kjo prokurori ka qenë e vetmja komponente t’i ndjek veprat penale që dalin nga bisedat e përgjuara.
“Sipas Ligjit të PSP-së, ato kishin mundësinë të marrin lëndë nga prokuroria e rregullt dhe lëndë të tilla u morën para katër viteve. Cila është logjika juridike që pas katër viteve ato lëndë sërish të kthehen në Prokurorinë Themelore Publike? Ligji i PSP-së nuk i jep mundësi Janevës që t’ia delegojë këto lëndë cilësdo prokurorie”,- theksoi avokatja mbrojtëse, Sanja Aleksiq.
Sipas saj, zgjidhja e vetme momentale është që Kuvendi në mënyrë ligjore ta rregullojë pranim-dorëzimin e lëndëve. “Atëherë gjithçka do të ishte ndryshe”, thotë Aleskiq, duke paralajmëruar se mbrojtja do ta kontestojë këtë gjatë gjykimeve në seancat e ardhshme.
FLORIJE BELULI KAMBERI
