Maqedoni

Shkarkimi i Katica Janevës, seanca varet nga epilogu i takimit të liderëve. Zbatimi i ligjit, BDI: Të respektohet ligji, drejtësi joselektive. ASh: Tryeza e përbashkët, zgjidhja më e mirë

10.09.2019 17:24

Seanca plenare për shkarkimin e Katica Janevës nga Prokuroria Speciale Publike do të varet nga epilogu i takimit të liderëve...

Seanca plenare për shkarkimin e Katica Janevës nga Prokuroria Speciale Publike do të varet nga epilogu i takimit të liderëve, ndonëse javën e kaluar si ditë e mundshme për shkarkimin e saj u fol dita e martë.
 
Javën e kaluar, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, mbi bazën e kërkesës së Këshillit të Prokurorëve Publikë, konkludoi shkarkimin e Janevës nga Specialja me akuzat për punë joprofesionale, joligjore dhe të pandërgjegjshme.
 
Pas shkarkimit nga Kuvendi me 2/3 e votave dhe me Badenter, Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të miratojë vullnetin e Kuvendit dhe të shkarkojë Janevën, ndërsa jozyrtarisht pritet që të pares së Speciales, mbi dyshimet për përfshirje në rastin “Reket”, t’i merret edhe mandati si prokurore publike. 
 
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një kumtese për media, thekson se sundimi i ligjit, barazia para ligjit, si dhe zbatimi i ligjit nga të gjithë, në mënyrë të përpiktë, është parakusht për stabilitet shoqëror, integrim dhe zhvillim ekonomik. 
 
“Secili nga ne, politikanë,  gjykatës, prokurorë, bartë përgjegjësi individuale për veprimet ose mosveprimet dhe vendimet e veta dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin. BDI distancohet nga çdo ndërhyrje politike në vendimet e institucioneve ligjzbatuese dhe konsideron se drejtësia joselektive dhe sundimi i drejtë i ligjit do të sigurohen nëpërmjet vetingut të mirëfilltë dhe kjo paraqet prioritetin tonë absolut”,- thonë nga BDI.
 
ASh ndërkohë ka ngritur shqetësimin lidhur me takimin Zaev-Mickovski. Sipas tyre, një tryezë e përbashkët ku do të merrnin pjesë të gjitha forcat politike, do të ishte zgjidhja më e mirë.
 
“Zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte tryezë e përbashkët politike mes të gjitha forcave relevante politike në vend, të krijohet mundësia për një konsensus politik, i cili do të bënte ndryshimin e kodit zgjedhor dhe do ta përgatiste vendin në zgjedhje parlamentare. Ndërsa paralelisht bartës i proceseve reformuese të sistemit të drejtësisë të emërohej ekspert i huaj nga BE ose ShBA”,- u shpreh zëdhënësi i ASh-së, Flakron Bexheti.
 
Nga kjo parti gjithashtu kanë akuzuar BDI-në se po vazhdon me dualizmin e saj politik herë me LSDM-në e herë me VMRO-në, e cila, sipas tyre, njëherë pajtohet me propozim-Ligjin e Qeverisë për Prokurorinë  Publike dhe nga ana tjetër ka qëndrim identik me atë të VMRO-së rreth mënyrës se si lëndët e Prokurorisë Speciale  duhet të transferohen nga Prokuroria Speciale në atë Republikane. 
 
NAIM RAMADANI